Burgjet e Holandës janë aq të zbrazëta sa po kthehen në vendstrehim për refugjatët

Burgjet holandeze po zbrazen me shpejtësi. Numri i të burgosurve në Holandë ra nga 20,463 në vitin 2006 në 10,102 në vitin 2016.
Kjo është e barabartë me rreth 59 të burgosur për 100,000 banorë, sipas të dhënave të “World Prison Brief”.
Normat e ulëta të burgosjes së Holandës janë kryesisht falë ligjeve të zbutura ndaj përdoruesve të drogës, duke i lënë në gjendje të lirë, por duke i monitoruar me sistemin elektronik të byzylykëve të këmbës. Masat lehtësuese kanë bërë që në të gjithë Holandën të mbyllen shumë burgje, duke përfshirë edhe burgun e “Bijlmerbajes” në Amsterdam në vitin 2016.
Ky burg është planifikuar të shkatërrohet dhe të shndërrohet në vendstrehim këtë vit, por në ndërkohë është shndërruar në një qendër kreative e quajtur “Lola Lik”, e cila përfshin hapësirë për fillimin e punës, një shkollë gjuhe dhe një dyqan kafeje.
“Lola Lik” është gjithashtu shumë pranë një qendre refugjatësh në Wenckebachweg, ku u ofrohet strehim deri në 1.000 personave gjatë kërkimit të azilit. Të huajt që mbërrijnë në qendrën ‘burg’ ndajnë aftësitë e tyre si dhe mësojnë vepra artizanale të reja.
Krahas këtij projekti, qyteti i Amsterdamit dhe partnerët e ndryshëm nënshkruan një marrëveshje për të ndihmuar refugjatët të siguronin mundësi punësimi. Sipas një raporti të paraqitur në “Fast Company”, kjo iniciativë pasqyron politikën e Amsterdamit për nxitjen aktive dhe inkurajimin e aktiviteteve që synojnë përfshirjen e refugjatëve.
Bijlmerbajes është vetëm një nga disa burgje që i nënshtrohen një transformimi të tillë. Një raport i NBC News thekson se ka edhe disa burgje të tjera boshe, duke përfshirë De Koepel në Haarlem, pranë Amsterdamit, e cila është konvertuar në një hapësirë të përkohshme për azilkërkuesit.
Hapësirat e transformuara po bëhet gjithnjë e më të zakonshme në vende të tjera.
Për shembull, në Slloveni, një ish-burg i ushtrisë Jugosllave u shndërrua në një hotel për të rinj në vitin 2003, pas një fushate nga aktivistët midis 1993 dhe 2001 për të rinovuar hapësirën.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.