Rama takon Presidentin e KE, Juncker: Nëse bëhet progres 6 muajt e ardhshëm do t’i propozoj Këshillit të Ministrave të BE hapjen e negociatave
“Nëse behet progres i mëtejshëm në 6 muajt e ardhshëm dhe ne mendojmë se do të bëhet, synoj që t’i propozoj Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare, hapjen e negociatave për Shqipërinë. Kjo do të varet nga progresi gjatë muajve në vijim.”
Kështu është shprehur në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Rama, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ku më tej pohoi se vlerëson përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin dhe se është bërë progres në këtë drejtim.
“Vlerësojmë përpjekjet e kryeministrit për të luftuar korrupsionin, është bërë progres në performancën e vendin. Jemi shumë të lumtur me këtë që po ndodh në Shqipëri. Na kanë lanë mbresa reformat që janë kryer në Shqipëri. Duam që Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe në pikën ku jemi mund t’i shtroj Këshillit hapjen e negociatave, duke pasur parasysh progresin e bërë në Shqipëri. Në qoftë se gjërat vazhdojnë të bëhen në të njëjtin drejtim, do të jemi shumë pranë rekomandimit për negociatat”, u shpreh Juncker, i cili gjatë deklaratës së tij pohoi se ka si qëllim të vizitojë Shqipërinë vitin e ardhshëm.
Rama shtoi gjatë fjalës së tij se në Bruksel ndodhet me rezultate të prekshme dhe se do të largohet nga ky vend duke menduar se rezultatet e reformave duhet të vijojnë.
“Është një kënaqësi e madhe t’ju dëgjoj, t’ju kuptoj në gatishmërinë që keni për të na mbështetur në këtë proces që do të vazhdojë javë pas jave dhe muaj pas muaji. Muajt e ardhshëm do të jenë thelbësore për të hyrë në një fazë të re në fillimin e negociatave për anëtarësim. Për mua është krenari që erdha ne Bruksel me rezultate te prekshme të konfirmuara nga të gjithë ju. Largohem nga Brukseli duke menduar që më shume rezultate të prekshme duhet te vijojnë. Jam i sigurt që opinioni publik do ta kuptojë plotësisht mesazhin tuaj që bazohet në meritë, me qëllim që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE”, poho Rama.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.