Dita ndërkombëtare e punëtorëve – Rama: Kemi punësuar mbi 79 mijë persona në tre vite

Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, kryeministri Edi Rama ka bërë një bilanc të punësimit të qytetarëve shqiptarë përgjatë mandatit të tij qeverisës. Sipas Ramës, në 3 vitet e fundit janë punësuar 79096 punëkërkues vetëm nga zyrat e punës, ndërkohë që aktualisht janë dhe 38 mijë vende të lira në dispozicion.
Këtë bilanc Rama e ka bërë përmes një statusi në Facebook. Nëse i referohemi Shërbimi Kombëtar të Punësimit janë të regjistruar në zyrat e tij të punës në të gjithë vendin rreth 38519 vende të lira puna nga 35426 punëdhënës të regjistruar.
Ndërsa vetëm në faqen zyrtare on line të këtij institucioni puna.gov.al janë listuar 5718 vende të lira pune, të ofruara nga 557 kompani. Po të bëjmë një analizë të profesioneve më të kërkuara nga punëdhënsit, duket se industria me fasonë mban rekord dhe është në lulëzim, pasi profesioni rrobaqepës kryeson listën e kërkesave, duke u ndjekur nga kërkesat për punëtor krahu.
Në listën e publikuar on line të vendeve të punës, përgjithësisht mbizotërojnë profilet e ulëta të profesioneve dhe më pak të paguara, çka tregon edhe arsyen se përse qëndron në mënyrë konstante një numër i lartë vendesh të lira pune, për shkak se shumica e të rinjve të shkolluar, kërkojnë profesione që u përshtaten profilit të tyre të arsimimit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.