Raporti: Të përndjekurit, vetëm 1 miliard lekë në 2022 – Avokati i Popullit: Shtoni fondet, ndryshe dëmshpërblimi do zgjasë edhe 30 vite
Sipas institucionit të Avokatit të Popullit, procesi i dëmshpërblimit të ish të përndjekurve të epokës së komunizmit është ngadalësuar ndjeshëm, në një kohë që një pjesë e mirë e tyre tashmë janë në moshë të avancuar. Në raportin e aktivitetit për vitin 2021, Avokati thekson se “Duhet bërë i mundur përshpejtimi i dhënies së përfitimeve/dëmshpërblimeve për shtresën e ish të përndjekurve politikë, duke vënë në vend të drejtat e shkelura dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës së kësaj kategorie. Ky proces tashmë 30 vjeçar po e bën të paarritshme këtë të drejtë, përsa një pjesë e mirë e personave që kanë vuajtur në atë regjim po moshohen e rrjedha e ciklit të jetës është e paevitueshme”, thekson Avokati i Popullit në raportin e sapodepozituar në Kuvend.
Më tej institicioni i referohet vërejtjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilit katër vitet e fundit, fondi i parashikuar për këtë kategori ka ardhur duke u ulur, gati është përgjysmuar, në një kohë që shuma e mbetur për t’u paguar në formën e dëmshpërblimit për këtë kategori është rreth 300 milionë dollarë. Sipas përllogaritjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mund të duhen edhe rreth 30 vite të tjera për të përfunduar procesin e dëmshpërblimit.
Në raport mësohet se zyra e Avokatit të Popullit ka pasur edhe një komunikim me Ministrinë ë e Financave për këtë qëllim, përgjigja e së cilës në vitin 2022 është këstet shpërndahen në bazë të fondeve të akorduara në buxhet. “Në fillim të vitit 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë na ka informuar se vlerëson dhe merr në konsideratë çdo rekomandim të dërguar nga institucioni i Avokatit të Popullit, por realizon lëvrimin e kësteve në varësi të fondit që miratohet për secilin vit buxhetor. Fondi i miratuar për kategorinë e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist, për vitin buxhetor 2022 është vetëm 1 miliard lekë. Mbetet domosdoshmëri rishikimi i këtij fondi për vitet buxhetore në vijim”, thekson në raport Avokati i Popullit.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.