Rastet e Dibrës dhe Elbasanit – Shkon 40% e ndihmës ekonomike, përfitojnë një në dy familje

Të dhënat e institutit të statistikave flasin për një rënie të ndjeshme të numrit të familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike nga viti 2012 deri në vitin 2016. Kjo është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e eliminimit të familjeve që abuzonin, fushatë kjo e ndërmarrë nga qeveria “Rama 1” që në vitin e parë të qeverisjes.
Për të qenë realist me të dhënat, për krahasim do të marrin vitin 2014 duke e cilësuar si vitin zero në këtë drejtim. Nga viti 2014, deri në vitin 2016, kur edhe janë të dhënat e fundit, numri i familjeve që përfituan ndihmë ekonomike u rrit me 2075 në të gjithë republikën. Nga vitit 2015 në 2016-ën ndërkohë rritja është tepër e vogël, prej vetëm 90 familjesh.
Situata në rang qarqesh ndërkohë nuk është aspak e njëjtë. Elbasani vijon të mbetet qarku me numrin më të lartë të familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, madje edhe më shumë se Tirana, ku popullsia është tre herë më e lartë.
Në Elbasan numri i familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike fiksohet në 15994, nga 13702 që ishte në vitin 2015. Rritja vjen pavarësisht se, popullsia në këtë qark ka pësuar rënie gjatë së njëjtës periudhë kohore.
Madje, në krahasim me vitin 2012, Elbasani është i vetmi qark që ka pësuar rritje të numrit të familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike. Mesatarisht, një në 4 familje në Elbasan përfiton ndihmë ekonomike.
Ndër 12 qarqet e vendit, vetëm pesë prej tyre regjistrojnë rritje të numrit të familjeve që e përfitojnë këtë ndihmë, nga viti 2015 në vitin 2016. Këto qarqe, veç Elbasanit janë: Dibra, Durrësi, Korça dhe Tirana.
Një tjetër çudi është rasti i Dibrës, si qark i renditur i dyti pas Elbasanin në rang vendi, me 13367 familje që përfitojnë. Ky qark ka një popullsi prej vetëm 127 mijë banorësh. Kjo do të thotë se, mesatarisht, një në dy familje në qarkun e Dibrës përfiton ndihmë ekonomike nga shteti. Kjo lloj ndihme është një indikator i përafërt i varfërisë së një qarku.
Roel Korkuti/SCAN
Numri i familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike | ||
Viti 2015 | Viti 2016 | |
Berat | 2402 | 1817 |
Dibër | 13113 | 13367 |
Durrës | 960 | 1013 |
Elbasan | 13702 | 15994 |
Fier | 3088 | 2582 |
Gjirokastër | 1860 | 1731 |
Korçë | 7675 | 7800 |
Kukës | 10735 | 10686 |
Lezhë | 5646 | 5255 |
Shkodër | 11048 | 9771 |
Tiranë | 8313 | 8722 |
Vlorë | 1517 | 1410 |
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.