Referendumi në Puerto Rico – Ishullorët kërkojnë të bëhen shteti i 51-të i SHBA-ve

Puerto Rico është duke votuar në një referendum popullor për të vendosur se çfarë statusi politik do t’i kërkojë Kongresit të SHBA. Vendi konsiderohet territor i SHBA dhe ndodhet aktualisht në një krizë ekonomike që ka nxitur largimin e shumë ishullorëve drejt Shteteve të Bashkuara.
Votuesve u jepen tre zgjedhje: të bëhen shtet (brenda federatës), pavarësia, si dhe statusi aktual. Megjithatë fjala e fundit i takon pikërisht Kongresit.
Pritet që të mbizotërojnë mbështetësit e shtetësisë, pasi partitë që favorizojnë alternativat e tjera kanë bojkotuar këto zgjedhje, përfshirë edhe partinë më të madhe të opozitës.
Mes atyre që shpresojnë që Puerto Rico të bëhet shteti i 51-të i SHBA, është edhe Pedro Pierluisi, ish përfaqësues i ishullit në kongres.
“Le t’i dërgojmë një mesazh të fortë dhe të qartë SHBA-së dhe gjithë botës. Ky mesazh është që portorikanët duan jo vetëm shtetësi amerikane, por edhe trajtim të barabartë”, tha Pierluisi.
Shumë besojnë se recesioni ekonomik 10-vjeçar është i lidhur ngushtë me statusin si territor i SHBA, nxitur edhe nga dekada huamarrjeje dhe nga eliminimi i incentivave të taksave federale. Puerto Rico përjashtohet nga taksa federale mbi të ardhurat, por paguan gjithsesi Sigurinë Shoqërore, Kujdesin Mjekësor dhe taksa lokale, si edhe përfiton më pak fonde federale se shtetet e SHBA.
Rreth gjysmë milionë portorikanë janë zhvendosur në HSBA, ndërsa papunësia në ishullin me 3,4 milionë banorë ka arritur në 12%.
Çmimet e larta janë një problem që ka prekur rëndë popullsinë, ku ushqimi është 22% më i shtrenjtë se në SHBA, ndërsa shërbimet publike 64% më të shtrenjta.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.