Regjistri elektronik kombëtar, Xhaçka: Më pak burokraci për grupet vulnerabël
Të dhënat dhe vlerësimet e situatës së personave që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, 154 mijë individëve me aftësi të kufizuara, rreth 4000 fëmijëve, prindërve, të moshuarve dhe shumë përfituesve të tjerë të shërbimeve, tashmë janë pjesë Regjistrit të Integruar Elektronik Kombëtar, i cili u prezantua nga Ministria e Mirëqenies Sociale.
“Prezantojmë për herë të parë Regjistrin e Integruar Elektronik Kombëtar, me qëllim lehtësimin e jetës të çdo qytetari, i cili ka të drejtë të ketë akses në shërbime sociale, në ndihmë ekonomike, në pagesat e aftësisë së kufizuar apo në mundësitë për punësim ose formim profesional. Të dhënat dhe vlerësimet e situatës të 80.000 grave, që sot janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, 154.000 individëve me aftësi të kufizuara, rreth 4000 fëmijëve, prindërve, të moshuarve dhe shumë përfituesve të tjerë të shërbimeve, që ofrojnë organizatat jo-fitimprurëse, janë sot pjesë e një sistemi elektronik”.
Xhaçka theksoi se ky regjistër, lehtëson burokracitë, duke i dhënë mundësi individëve të ketë akses në të gjitha shërbimet nga të cilat përfitojnë.
“Kështu, lehtësojmë mënyrën që i duhet një individi për të aplikuar, i japim mundësi të ketë akses në të gjitha shërbimet për të cilat ka të drejtë ti marrë, dhe shkurtojmë kohën e marrjes së përgjigjes. Por mbi të gjitha sigurojmë një rrugë të sigurtë, drejt riintegrimit dhe përfshirjes së tyre në shoqëri për një jetë më të mirë dhe të jetuar me dinjitet”.
Nëpërmjet Regjistrit elektronik, çdo e dhënë apo vlerësim i situatës që është hedhur në sistem, kontrollohet në kohë reale nga përdoruesit e regjistrit, që janë inspektorët e zyrave rajonale, administratorët socialë, mjekët dhe punonjësit socialë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.