Rekord punësimi në SHBA – Pagat rriten me hapin më të shpejtë në 9 vite
Zgjerimi i tregut të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës morri hov gjatë Gushtit ndërkohë që pagat pësuan rritjen më të madhe në më shumë se 9 vite, tregojnë të dhënat më të fundit. Departamenti i punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës raporton se vendet e punës në sektorin jo-bujqësor u rritën me 201 mijë të tilla gjatë Gushtit, duke marrë shtysë kryesisht nga sektori i ndërtimit.
Pagat mesatare në orë u rritën me 0.4%, ose me 10 cent gjatë Gushtit, pas një rritje me 0.3% gjatë Korrikut. Kjo bën që rritja vjetore të jetë në 2.9%, që është edhe rritja më e madhe që prej vitit 2009. Rritja e pagave ka qenë thembra e Akilit për tregun e punës, pasi në një kohë që papunësia ka qenë në rekordin minimal, pagat nuk po jepnin sinjale bindëse. Kthesa e muajve të fundit sinjalizon se inflacioni do t`i afrohet objektivit të Rezervës Federale prej 2%.
Të dhënat konfirmojnë kështu edhe faktin se do të ketë ndërhyrje tjetër në normat e interesit gjatë vitit. Një tjetër indikator i papunësisë, ai që përfshin edhe njerëzit në kërkim të një pune por që janë dorëzuar, si dhe ata që punojnë part-time pasi nuk mund të gjejnë dot punë me kohë të plotë, ra në 7.4% gjatë Gushtit, që është edhe niveli më i ulët që prej vitit 2001. Norma e përgjithshme e papunësisë ndërkohë mbetet e pandryshuar në 3.9%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.