Rekordi negativ i fushatës – 38 mijë sekuestrime nga tatimet ndaj bizneseve debitorëve
Numri rekord i sekuestrimeve është një prej efekteve anësore negative që ka prodhuar aksioni kundër informalitetit. Scan ka zbardhur se në total, deri në fund të vitit 2016, Administrata Tatimore, ka vendosur mbi 38 mijë sekuestro ndaj bizneseve debitore.
Bashkë me bllokimin e llogarive dhe barrat hipotekore, sekuestro e pasurive është një prej masave që përdoret më rëndom nga Administrata Tatimore për të mbledhur me forcë detyrimet e papaguara nga bizneset.
Trend në rritje i sekuestrimeve nënvizohet në raportin e sapo publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në raportin e sapo publikuar mbi auditimin e administratës tatimore, KLSH vëren se përmes masave shtrënguese është arritur të grumbullohet një vlerë totale prej rreth 350 milionë dollarësh nga bizneset debitorë.
Vetëm në vitin 2016, përmes procedurës së mbledhjes me forcë është vjelë një vlerë borxhi prej afro 110 milionë dollarësh.
Në raportin përfundimtar, KLSH i kërkon Administratës Tatimore të menaxhojë problemin e borxheve të bizneseve duke i dhënë prioritet parandalimit të krijimit të detyrimeve, dhe jo vjeljes së tyre me forcë. KLSH kërkon gjithashtu edhe një klasifikim më funksional të borxhit, duke vendosur edhe masa të diferencuara shtrënguese për afate të ndryshme të vjetërsisë së këtyre detyrimeve.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.