Rezultatet e bankave në 9-muaj, shumica rezulton me fitim
Bankat tregtare kanë shfaqur aktivitet fitimprurës edhe për tremujorin e tretë këtij viti. Sipas të dhënave të paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, shumica e tyre raportuan një rezultat pozitiv për nëntëmujorin.
Në vijimësi, përfitueshmëria ngelet më e lartë te bankat më të mëdha të sistemit, megjithatë në këtë fillim viti ka një kthesë pozitive edhe te disa prej bankave që kishin regjistruar rezultate negative në vitet e fundit.
Bankat më të mëdha, që zotërojnë më shumë se 10% pjesë tregu, e mbyllën të gjitha me fitim tremujorin e parë. Në këtë grup përfshihen Banka Kombëtare Tregtare, Raiffeisen, Credins dhe Intesa Sanpaolo.
Veçanërisht BKT dhe Raiffeisen kanë kthime ndjeshëm më të larta se pjesa tjetër e sistemit, falë pjesës së lartë të tregut dhe bazës së gjerë të ardhurave nga investimet me rrezik të ulët, sidomos nga bonot dhe obligacionet qeveritare.
Sipas Shoqatës së Bankave, BKT regjistroi një kthim tremujor nga kapitali në afro 45%, ndërsa Raiffeisen rreth 33%. Për pjesën tjetër të sistemit bankar, fitimet janë në përmasa më të kufizuara, qoftë në vlerë absolute, qoftë të matura si kthim nga kapitali i investuar.
Credins Bank arriti një fitim prej 337 milionë lekësh, duke konfirmuar edhe tremujorin e tretë performancën pozitive të qëndrueshme prej vitesh. Mes bankave të përmasave të mesme, Tirana Bank këtë vit i është rikthyer rezultateve pozitive, pas një serie prej disa vitesh radhazi me humbje.
Rezultate pozitive regjistruan edhe Union Bank, ABI Bank, Societe Generale dhe Fibank. Prej më shumë se dy vitesh, këto banka po regjistrojnë një performancë financiare pozitive.
Ndërkohë, Alpha Bank mbylli një tjetër tremujor me humbje, së bashku me NBG Bank, banka e grupit grek që është në prag të shitjes së aktivitetit në Shqipëri.
Deri tani, rezultat në humbje për këtë vit po shfaqin edhe ProCredit Bank, Banka e Bashkuar e Shqipërisë, Banka Ndërkombëtare Tregtare dhe Veneto Banka.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.