Rezultati i UBS për 2017 – Fitimi në $1.25 mld, merr goditje nga ndryshimet tatimore në SHBA
Banka më e madhe në Zvicër, UBS, raportoi një fitim neto prej 1.25 miliardë dollarë për të gjithë 2017-ën, duke marrë ndikim nga reduktimi në vlerë i aktiveve gjatë tremujorit të katërt, që lidhej edhe me ndryshimet tatimore në SHBA.
Analistët prisnin një shifër prej 1.3 miliardë dollarë, poshtë nivelit të 2016-ës prej $3.43 miliardë. Sipas kreut ekzekutiv të grupit bankar, Sergio Ermotti, viti 2017 ishte fantastik, me rezultate të forta financiare dhe duke arritur objektivat e reduktimit të kostove.
Fitimi neto përfshin reduktimet në vlerën në libër të aktiveve prej 2.97 miliardë dollarë gjatë tremujorit të katërt, që erdhi si pasojë e prezantimit të uljeve të reja tatimore në SHBA.
Sipas bankës, duke përjashtuar këtë ndodhi, fitimi neto do rezultonte në rritje me 26% me bazë vjetore.
UBS deklaroi gjithashtu ditën e Hënë se do të rrisë dividentët për investitorët në 0.67 dollarë për aksion, që shënon një rritje me 8% nga viti i kaluar. Banka prezantoi gjithashtu një program 3-vjeçar të riblerjes së aksioneve në rreth 2 miliardë dollarë.
UBS arriti gjithashtu objektivin e reduktimit të kostove prej 2.2 miliardë dollarë, megjithatë theksoi se luhatjet e ulëta në tregje mund të ndikojnë aktivitetin e klientit në biznesin e manaxhimit të pasurisë.
“Krijimi i pasurisë në botë pritet të vazhdojë rritjen me të paktën 2-fishin e normës së rritjes së PBB, pra në 8% në vit”, deklaron kreu i bankës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.