Riaktivizohet koncesioni i check-up – Do rifillonte me përfundimin e pandemisë, Manastirliu: Shërbimi, në çdo qendër shëndetësore
Teksa numri i të infektuarve nga COVID-19 ka pësuar rritje të ndjeshme gjatë javëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur të riaktivizojë koncesionin e check-up, që u pezullua pikërisht për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Zyrtarisht autoritetet deklaruan se shërbimi do të rikthehej pas përfundimit të pandemisë, por tashmë përmes një postimi në rrjetet sociale ministrja Ogerta Manstriliu ka njoftuar rifillimin e kontrollit mjekësor bazë për qytetarët 35-70 vjeç.
Sipas Manastirliut programi do të rifillojë në çdo qendër shëndetësore në vend, teksa e cilëson kontrollin si të dobishëm për parandalimin e sëmundjeve kronike dhe monitorimin e pasojave post-covid. Shërbimi u ndërpre përkohësisht nga gjysma e dytë e muajit mars të vitit të kaluar, rinisi në fund të muajit shtator dhe me pas u ripezullua për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Ndërkaq, pavarësisht pezullimit të përkohshëm, për vitin 2020, për koncesionin e check-up u paguan 352 mln lekë, ndërkohë që sipas të dhënave të përpunuara nga TV SCAN rezulton se kompania koncesionare është paguar edhe për kontrolle që nuk janë kryer.
Kjo pasi, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale raporton realizimin e 101,426 kontrolleve check up gjatë vitit tw kaluar, teksa sipas qeverisë, një check-up kryhet nga koncesionari me 1 537 lekë, çka do të thotë se në total kosto për kontrollet e raportuar shkon në 155.89 mln lekë. Diferenca prej 194.11 mln lekë e paguar nga buxheti i shtetit për koncesionarin, duket se nxjerr në pah konstatimet e bëra më herët nga Kontroli i Lartë i Shtetit për mbrojtjen që iu sigurojnë kushtet e kontratave kompanive koncesionare, që përfitojnë para’ publike për shërbime të pakryera. Kjo pasi, nga auditimi mbi monitorimin e kontratës së check-up rezultoi se pagesat e marra tepër nga koncesionari, për punën e pa kryer për vitet 2015, 2016, 2017 dhe 2018, shkojnë në 801 milion lekë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.