Rikthehet “Fondi për gratë sipërmarrëse në Bashkinë e Tiranës” – Grante deri në 420 mijë lekë për bizneset e drejtuara nga gratë

Komisioni i Ndihmës Shtetërore vendosi në mbledhjen e datës 22 Qershor të autorizojë planin e dhënies së ndihmës shtetërore “Fondi për Gratë Sipërmarrëse në Bashkinë e Tiranës” për vitin 2017.
Ky projekt do të përsëritet për herë të dytë në Bashkinë e Tiranës, me qëllim për të ndihmuar gratë të ngrenë bizneset e tyre, të vetëpunësohen, apo të punësojnë të tjerë.
Edhe për këtë vit fondi total do të jetë 6 milionë lekë, i cili do të ndahet në shuma në formë grantesh nga 280 mijë deri në 420 mijë lekë për secilin plan biznesi, i cili do të përzgjidhet, së bashku me asistencën për udhëheqje deri në dy vite pas fillimit të zbatimit të planit të biznesit.
Vitin e kaluar Bashkia e Tiranës akordoi 22 grante për 22 kompani të drejtuara nga gra në moshën 18-60 vjeç. Bizneset përfituese vepronin në fushat e tregtisë, prodhimit të veshjeve dhe sendeve popullore, teknologjisë së informacionit dhe shërbime të ndryshme.
Fondi u akordua si për bizneset e reja start-up, ashtu edhe për bizneset ekzistuese.
Kostot që mbulojnë këto grante arrijnë deri në 80% të kostove të pranueshme si qiraja e ambjenteve dhe mobilimi, blerja e makinerive dhe materialeve, pagat e punonjësve, si edhe marketingu.
Më të avantazhuarat për përfitimin nga ky projekt janë gratë e reja në moshë (18-35 vjeç), gratë nga zonat rurale të Bashkisë së Tiranës, kryefamiljaret, gratë me aftësi të kufizuara, si dhe gratë nga grupet e minoriteteve etnike.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.