Rikthehet ora ligjore – Akrepat shkojnë 60 minuta para

Duke filluar nga orët e para të ditës së Dielë rikthehet ora ligjore. Në orën 02.00 të natës së të Dielës më 26 Mars, akrepat do të zhvendosen përpara me një orë.
Në terma praktikë ky ndryshim përkthehet me një orë dritë më shumë, por edhe një orë gjumë më pak. Ora ligjore është vendosur për të kursyer energjinë elektrike në favor të energjisë diellore për shumë muaj.
Idea e orës ligjore nis në vitin 1784, kur Benjamin Franklin, mendoi në një ndryshim të orës përgjatë vitit në mënyrë që të kursehej energjia. Më pas në vitin 1907, kjo ide u ripropozua nga anglezi William Willet dhe më në fund në vitin 1916 u zyrtarizua zhvendosja me një orë gjatë periudhës së verës (3 Qershor-30 Shtator), e ashtuquajtura British Summer Time.
Pas Anglisë edhe vende të tjerë vendosën të ndryshojnë orën. Por kjo risi do ta kishte jetën e shkurtër, pasi u pezullua në vitin 1920, për t’u rikthyer në vitin 1940 deri më 1948, kur sërish u shfuqizua.
Duhet të vinte viti 1966, viti i krizës energjetike botërore, për të rikthyer sërish orën ligjore. Sot e gjithë Europa ndjek orën ligjore, që hyn në fuqi në të njëjtën kohë në të gjitha vendet e kontinentit. Protokolli që rregullon orën ligjore në Europë saktëson se për të tre zonat, atë të Europës Perëndimore, Qendrore dhe Europën Lindore, ndryshimi i orës kryhet në të Dielën e fundit të Marsit.
Ndërsa, të Dielën e fundit të Tetorit rikthehet ora diellore. Por, vendet ekuatoriale në përgjithësi nuk e adoptojnë orën ligjore. Ndërkohë, në Australi, ora ligjore është në fuqi nga Tetori deri në fund të Marsit apo në fillim të Prillit dhe në Brazil nis nga java e tretë e Tetorit deri në të dielën e tretë të Shkurtit.
Në Afrikë, ora ligjore përdoret rrallë, ndërsa në Rusi është hequr në vitin 2011 me iniciative të presidentit Dimitri Medvedev me arsyetimin se ndryshimi i orës në dimër shkakton stresin.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.