Rishikohet Ligji i Pronës, asgjë e re për pronarët – Lihet në fuqi formula e bazuar te zëri kadastral i 1945. Prioritet kompensimi në natyrë

Pas bllokimit të Ligjit të ri të pronave që prej shkurtit të kaluar nga Gjykata Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë ka hedhur për konsultim public një seri ndryshimesh të diktuara prej saj. Në thelb Gjykata Kushtetuese rrëzoi dy nene që kanë të bëjnë me formulën e llogaritjes së vlerës së kompensimit për pronarët, e cila bazohej te zëri kadastral që toka ka pasur në momentin e shpronësimit, në vitin 1945 dhe jo vlerën aktuale të tregut.
Por duket se Projektligji i Propozuar nga Ministria e Drejtësisë e lë në fuqi këtë formule, me një ndryshim të diktuar nga Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, e cila deyron shtetin shqiptar që vlera e kompensimit të jetë jo më pak se 10% e vlerës reale të pronës.
Vlerësimi financiar i vendimeve për kthimin dhe kompensimin e pronës si dhe i vendimeve që kanë njohur vetëm të drejtën e kompensimit, kryhet sipas rregullave të përcaktuara në nenin 7 të projektligjit. Në çdo rast, vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës si dhe i vendimeve që kanë njohur vetëm të drejtën e kompensimit duhet të sigurojë që subjekti i shpronësuar të përfitojë jo më pak se 10 për qind të vlerës së pronës të llogaritur sipas zërit kadastral aktual që prona ka, thekson proejktligji I hedhur për konsultim public nga Ministria e Drejtësisë.
Por nuk është ky i vetmi lajm i keq për pronarët që presin kompensimin. Ministria e Drejtësisë në draft ka rishikuar edhe format e kompensimit. Ndërsa në ligjin actual prioritet merr kompensimi financiar i pronarëve, në draft vihet re se forma prioritare do të jetë kompensimi nga fondi i tokës. Në vite qeveritë kanë vënë një fond toke bujqësore në dispozicion të procesit të kthim-kompensimit të pronave, i cili shpesh është prekur nga institucionet qendrore ashtu si dhe bashkitë. Në një kohë që shoqatat e pronarëve kanë pretensimin se sipërfaqet e këtij fondi në masë dërrmuese janë sipërfaqe pa asnjë vlerë.
Neni 3 parashikon nje shtese dhe ndryshim në nenin 8 të ligjit nr.133/2015, duke përcaktuar format e kompensimit të cilat do të bëhen nëpërmjet një ose disa nga format e mëposhtme:
- a) kompensim fizik në ish-pronën e subjektit të shpronësuar;
- b) kompensim fizik nga fondi i tokës;
- c) kompensim financiar;
- d) kompensim fizik me pronë tjetër të paluajtshme të çdo lloji, me vlerë të barabartë, në pronësi të shtetit;
- e) kompensim me aksione në shoqëri me kapital shtetëror ose në shoqëri tregtare ku shteti zotëron aksione, që kanë vlerë të barabartë me pronën e paluajtshme;
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.