Rishqyrtimi i 300 dosjeve, Çaushi: Fshehja e rekurseve skandal, ka raste të qëllimshme
Skandali i 300 dosjeve të fshehura nga Gjykata e Tiranës mund t’i shkaktojë shtetit shqiptar miliona euro dëme, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që ato të jenë mbajtur nëpër sirtarë për qëllime korruptive. Anëtari i Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Alban Çaushi, thotë për Televizionin Scan se ka sjellë dëmtim të interesave shtetërore si dhe janë shkelur të drejtave e individëve, palë në proces.
“Jemi në kufijtë e një skandali sepse shikohet që është cenuar një nga elementet themelore të procesit të rregullt që është gjykimi brenda një afati të arsyeshme mbi çështjeve gjyqësore. Mund të ketë brenda dashje, mund të ketë brenda pakujdesi. Aty ku janë 300 dosje për shkak të pakujdesisë, mund të themi që kemi dosje që në mënyrë të qëllimshme janë lënë atje”.
Çaushi thotë se qytetarëve apo subjekteve që nuk u janë dërguar dosjet për rekurs në Gjykatën e Lartë u është cenuar e drejta themelore për një proces gjyqësor të rregullt. Për këtë shkak ata mund t’i drejtohen fare lehtë gjykatës së Strasburgut, gjë që do t’i shkaktonte shtetit shqiptar dëme prej milionë eurosh.
“Bëhet fjalë për shkeljen e nenit 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut për shkeljen e standardeve të një procesi të rregullt ligjor, i cili jep të drejtën që këto palë të cilat kanë vuajtur këtë pasojë, pra nga pakujdesia e gjykatës të Tiranës, t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut ku të kërkojnë shpërblim dhe dëmshpërblim. Në një numër prej 300 dosjes shpenzimi i qeverisë mund të jetë shumë i madh, miliona euro dëme, dhe është një faturë që një fund të fundit do ta paguajnë qytetarët shqiptar.”
Ndërkaq, Çaushi thotë se dosjet në fjalë nuk janë të humbura, dhe se Gjykata e Lartë ka gjithë hapësirën ligjore për të dhënë zgjidhjen e duhur për secilën prej tyre.
“Ka një vullnet të mira nga Gjykata e Lartë për t’i marrë këto dosje të cilat nuk kanë humbur, të cilat kanë mbetur të padërguara në Gjykatën e Lartë. Pra këto dosje sot do të inventarizohen dhe do dërgohen në gjykatë. Nëse gjykata ka vullneti ti fut me procedurë të përshpejtuar, sepse duhet thënë që bëhet fjalë për dosje të vitit 2006 deri në vitin 2015, flasim për 11 vite vonesa mos shqyrtim të rekurseve në Gjykatën e Lartë. Kjo është një mangësi apo një shkelje e cila në një farë mënyre dhe mund të rregullohet”.
Skandali i rreth 300 dosjeve të cilat nuk janë dërguar prej vitesh për rekurs në Gjykatën e Lartë është zbuluar disa javë më parë, teksa një pjesë e dosjeve po s’postoheshin për në magazinat në Lundër, ku dhe do të arkivohen. Bëhet fjalë për rreth 299 dosje civile dhe 1 penale që i përkasin viteve 2008-2015.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.