Rriten dëmet – Sigurimet paguajnë 44% më shumë për 6 mujorin

Gjysma e parë e vitit 2017 u mbyll me rritje të ndjeshme të dëmeve në sigurime. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për gjashtëmujorin dëmet janë rritur me 44% ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Edhe raporti mes dëmeve dhe primeve është në nivele mjaft të larta për tregun shqiptar të sigurimeve, me 36%. Në vlerë, rritja e lartë e dëmeve ka ardhur sidomos nga klasat e sigurimit të detyrueshëm motorik, kryesisht te kartoni jeshil, që përfshin dëmet e paguara për aksidentet jashtë vendit.
Por, një rritje e lartë e dëmeve të paguara është regjistruar edhe në disa prej klasave të sigurimit vullnetar, si sigurimi ndaj dëmtimeve në pronë, sigurimi i aksidenteve dhe sigurimi i shëndetit. Dëmet janë rritur jo vetëm në vlerë, por edhe në numër rastesh, me 59% krahasuar me gjashtëmujorin e vitit të kaluar. Për sa i takon primeve, tregu i sigurimeve ngelet në rritje, me 12% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2016.
Sigurimet e detyrueshme motorike dominojnë strukturën e primeve, me 63% të totalit. Disa prej klasave të sigurimit me rritje të lartë të primeve janë sigurimi ndaj dëmtimeve në pronë, sigurimi i aksidenteve dhe sigurimi i anijeve dhe avionëve.
Megjithatë, këto kategori kanë peshë relativisht të ulët në strukturën e primeve. Për gjashtëmujorin, tregu i sigurimit të jetës regjistroi një rritje disi më të lartë se mesatarja e tregut, me 23% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, pesha e jetës në tregun e sigurimeve ngelet relativisht e ulët, me rreth 7.6% të primeve totale.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.