Rriten kostot për unazën e madhe – ARRSH miraton shtesën e kontratës prej 313.4 milion lekë për lotin e dytë
Punimet për ndërtimin e segmentit Pallati me SHogjeta-Sheshi Shqiponja të Unazës së Madhe në Tiranë do të kushtojnë 313.4 mln më shumë se vlera fillestare. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka miratuar shtesën e kontratës për kompaninë Salillari, për lotin 2 të këtij segmenti, duke rritur kostot për këtë projekt. Loti 2 i këtij segmenti ka një gjatësi prej 0.84 km, ndërkohë që kompania Salillari u shpall fituese për ndërtimin e tij me një ofertë prej 1.66 mld lekë. Ndërkaq, Open Data Albania ka ngritur flamurin e kuq për shtesën e kontratës, për shkak të mungesës së konkurrencës, duke qenë se prokurimi është zhvilluar me një konkurrent të vetëm.
Sipas ODA-s, “ligji shqiptar i lejon keto lloj procedurash, por shpesh, më shumë se mungesë konkurrence në treg, ato shfaqin opsione të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokumentesh në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste”. Sa i takon loteve të tjerë të këtij segmenti, në lotin 1 punimet po kryhen nga bashkimi i operatorëve “Salillari” dhe “Bajrami N”, me një vlerë prej 1.776.111.282 lekë, teksa gjatësia e këtij segmenti është 0.76 km.
Ndërkohë që, për segmentin e tretë prej 0.74 km fitues është shpallur kompania “Victoria Invest Internacional & Viktoria Invest” me një vlerë prej 1.17 mld lekë pa TVSH. Punimet për ndërtimin e këtij segmenti po avancojnë, ndonëse ato kanë sjellë probleme të shumta në drejtim të trafikut në hyrje të kryeqytetit.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.