Rritet konsumi i birrës në 5-muaj, afro 2300 ton më shumë se 2016

Konsumi i birrës ka njohur rritje gjatë muajve të parë të vitit. Kështu sipas statistikave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për 5 mujorin e parë të këtij viti sasia e birrës e hedhur për konsum llogaritet të jetë 23 834 ton, ose 2 284 ton më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Kështu në 5 muajt e parë të vitit që shkoi në tregun vendas janë hedhur për konsum 21 550 ton birrë.
Por edhe pse administrate doganore jep vetëm sasinë e konsumuar të këtij produkti, në këto të dhëna nuk specifikohet se sa është sasia e importuar dhe sa është sasia e prodhimit vendas.
Tregu i birrës është ndër më të “lakmuarit” dhe diskutimet për akcizën e birrës në kohën kur diskutohet paketa fiskale janë të ashpra.
Prodhuesit vendas gjithnjë janë ankuar se është krijuar një treg i pandershëm dhe kanë kërkuar vazhdimisht uljen e taksës së akcizës për këtë produkt, me arsyetimin e rritjes së produktit vendas dhe rritjen e punësimit.
Aktualisht prodhimi vendas i birrës e ndan tregun ndërmjet katër kompanive kryesore, Birra Tirana, Birra Stela, Birra Korça dhe Birra Kaon.
Por një përqindje të lartë në treg zënë edhe birrat e importit, të cilat në jo pak raste janë favorizuar edhe nga niveli më i ulët i akcizës, duke konkurruar bindshëm prodhimin vendas.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.