Rritet përhapja e Covid-19 në Gjermani. Norma e riprodhimit, në 2.88, sipër nivelit të mbajtjes nën kontroll
Norma e riprodhimit të koronavirusit në Gjermani u rrit në 2.88, nga 1.79 një ditë më parë, sipas Institutit Robert Koch për shëndetin publik, ç’ka e çon infeksionin sipër nivelit që duhet për ta përmbajtur në afat-gjatë. Një normë e riprodhimit prej 2.88 nënkupton se nga 100 njerëz që kanë marrë virusin, 288 të tjerë do të infektohen. Një normë në më pak se 1 është e nevojshme për të përmbajtur gradualisht sëmundjen. Ditën e Premte, norma e riprodhimit të koronavirusit qëndronte në vetëm 1.06.
Gjermania është cilësuar gjerësisht si një histori e suksesit në Europë, për përmbajtjen e koronavirusit. Megjithatë, norma e infeksionit po rritet përsëri dhe së fundmi, autoritetet në Gjermani kanë nisur të përforcojnë masat e karantinës.
Autoritetet e shëndetësisë u detyruan të kërkojnë ndihmën e policisë për të ruajtur masat e karantinës në një lagje në Goettingen, pasi nisën protestat gjatë fundjavës dhe rreth 700 njerëz u vendosën në karantinë.
Në North Rhine- Westphalia, mbi 1000 persona staf në një fabrikë të procesimit të mishit u testuan pozitivë me koronavirus dhe autoritetet i kërkuan punëtorëve dhe familjeve të tyre të ruajnë rregullat e karantinës. Instituti i shëndetit Robert Koch bëri të ditur se vatra të infeskionit janë raportuar në shtëpi të kujdesit, spitale, institucione për azil-kërkuesit, fabrika të procesimit të mishit, kompani të logjistikës dhe në mbledhjet fetare dhe familjare. Në total, Gjermania ka regjistruar 191.575 raste të Covid-19 dhe 8,962 vdekje.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.