Rritet transporti detar/Ministria: U ankoruan 2748 anije turistike, 44 mijë pasagjerë më tepër
Transporti detar shënoi rritje të ndjeshme për periudhën janar-gusht, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për 8-mujorin numri i pasagjerëve të imbarkuar arriti në 592 mijë, apo rreth 44 mijë pasagjerë më tepër, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në rritje të ndjeshme është edhe numri i pasagjerëve të dismbarkuar, me rreth 37 600 pasagjerë më tepër në vitin 2018.
Po kështu, edhe numri i velierave, jahteve dhe anijeve turistike u rrit, ku sipas të dhënave për këtë periudhë në portet shqiptare u ankoruan 2748 mjete, nga 2214 mjete të regjistruar një vit më parë.
Zgjerimi i transportit detar sipas dikasterit të transporteve ka ardhur si pasojë e masave të marra në nisje të sezonit turistik, ku ndër të tjera u përcaktuan procedura lehtësuese për ankorimin e mjeteve turistike.
Sipas këtyre masave jahtet turistike do të duhej të bënin njoftim në hyrje vetëm në portin e parë që prekin dhe në portin e fundit përpara se të largohen nga ujërat e Shqipërisë.
Lëvizja e këtyre mjeteve lundruese brenda porteve dhe ujërave tona territoriale, një periudhë 1-mujore mjaftohej vetëm me njoftimin e Kapitanerisë së Portit përkatës.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.