Rritet volumi tregtar në bujqësi – 145.7 mld lekë në 2017, 8.2% më shumë shumë se viti 2016
Volumi tregtar i sektorit të bujqësisë dhe ushqimit për vitin 2017 është regjistruar në vlerën e rreth 145.7 miliardë lekëve me një rritje prej 8.2 % krahasuar me vitin 2016.
TV SCAN ka siguruar të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë , ku bëhet me dije se eksportet e prodhimeve bujqësore, blegtorale dhe agroindustriale për vitin 2017 kanë arritur vlerën e 31.4 miliardë lekëve, me një rritje prej 5.2 miliardë lekë krahasuar me vitin 2016.
Për vitin 2017 niveli i totalit të eksporteve të Shqipërisë është rritur me 19.9% krahasuar me vitin 2016, ndërsa importet janë rritur me 5.3%, duke krahasuar të njëjtën periudhë te vitit te kaluar.
Sa i përket importeve, të përkthyera në vlerë monetare, janë regjistruar në 114,2 miliardë lekë në 2017, nga 108.3 miliardë që kanë qenë në 2016-ën.
Ndërkohë që BE vazhdon të mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, ku shkojnë rreth 60% e të gjitha eksporteve Shqiptare të produkteve bujqësore (në vlerë) dhe nga ku pjesën më të madhe e zënë produktet perimore. Për sa u përket pjesës tjetër të eksporteve të tyre shkojnë në vendet e CEFTA-s dhe në pjesë të tjera të botës.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.