Rritja e çmimit të ujit – Veliaj, dëgjesë publike me Këshilltarët e LSI
Rritja e çmimit të ujit është e nevojshme, në mënyrë që të shtohen edhe orët e furnizimit me ujë. Gjatë një dëgjese me këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Veliaj argumentoi se, rritja e çmimit të ujit të pijshëm me 20 lekë, nënkupton të ardhura më të larta dhe investime më të shumta.
“Orari i shërbimit ka qenë me 7 orë ujë kur e la Basha. Sot jemi me 13 orë. Maksimumi që kemi arritur të bëjmë është rritja me 85% e furnizimit me ujë. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër se si të rrisim investimet. Shumica prej nesh kur hapim çezmën ka ujë. 90% e Tiranës nuk e kupton kur mungon uji sepse kanë depozitat. Zonat e tjera nuk mund t’i heqin depozitat se këto e sigurojnë 24 orëshin. Arsyeja pse nuk ndihet është sepse bëhet furnizimi i depozitave. Në Bovillë klorinim i parametrave evropiane, në pallate dëmtohet cilësia e ujit në depozita. Pyetja është nëse duhet ta bëjmë 24 orë, dy janë mundësitë, ose të shpikim diçka që se ka bërë askush ose të shohim kush e ka shpikur rrotën. Dy janë shembujt, Korça dhe Pogradeci që e kanë 99 dhe 95 lekë.
Kur shkoi Korça nga 40 lekë në 99 lekë, kur do merrte një kredi nga KFW për rrjetin e ujësjellësit. Sot Korça nuk e ka problem ujin e pijshëm”, tha Veliaj.
Takimi me këshilltarët e LSI-së, u zhvillua një ditë përpara votimit të këtij propozimi. Pas votimit, Bashkia e Tiranës do të propozojë pranë Entit Rregullator të Ujit rritjen e çmimit të ujit, ndërsa kjo e fundit do të vendosë nëse do të ketë apo jo rritje të çmimit.
Entela Barjamaj/SCAN
Çmimi 20 lekë më i lartë – Relacioni: Na duhen të ardhura për investime në ujin e pijshëm
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.