Rritja ngadalësohet – PBB rritet me 3.55% për tremujorin III

Ekonomia shqiptare e ngadalësoi rritjen në tremujorin e tretë të vitit. Sipas Institutit të Statistikave, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.55% në tremujorin e tretë të vitit, nga një rritje mesatare prej 4% për dy tremujorët e parë.
Rritja ekonomike më e moderuar ishte paralajmëruar në fillim të këtij muaji nga Banka e Shqipërisë, mbështetur në tregues ekonomikë të tërthortë.
Rritja më e ulët reflekton edhe kalimin e efektit të stimulit elektoral në ekonomi.
Në dy tremujorët e parë, shpenzimet e shtuara publike sollën rritje shumë të lartë, sidomos në sektorin e ndërtimit, që në tremujorin e dytë ishte rritur me mbi 22%. Për tremujorin e tretë, ndërtimi u rrit me 7.64%, larg niveleve të gjysmës së parë të vitit. Ky sektor ngelet gjithsesi ndër kolonat kryesore të rritjes, i mbështetur sidomos nga projektet madhore të ndërtimit të veprave energjetike.
Kontribuesi kryesor i rritjes në tremujorin e tretë ishte tregtia, falë shtysës së sezonit turistik. Sektorë të tjerë që kontribuan në rritjen e tremujorit të tretë ishin sektori financiar dhe dega e administrimit publik, duke evidentuar edhe njëherë një mbështetje gjithnjë e më të theksuar të ekonomisë shqiptare te shërbimet.
Një performancë të dobët vazhdojnë të shfaqë aktiviteti prodhues në ekonomi. Dega e industrisë për tremujorin e tretë ra me 1.12%, ndërsa bujqësia regjistroi një rritje modeste me 1.12%. Mbështetur në të dhënat me bazë tremujorë, ekonomia shqiptare është rritur mesatarisht me 3.85% për nëntë muajt e parë të vitit 2017.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.