Rusia te borxhi amerikan – Ul me 84% zotërimet në vetëm 2 muaj
Qeveria ruse, dikur një zotërues i rëndësishëm i borxhit amerikan, ka nisur reduktimin e shpejtë të titujve të thesarit. Zotërimet e letrave me vlerë nga Rusia ranë me 84% nga muaji Mars në Maj, duke prekur 14.9 miliardë dollarë, nga 96.1 miliardë që mbante 2 muaj më parë, sipas një raporti të Departamentit të Thesarit në Shtetet e Bashkuara.
Disa analistë e kanë quajtur këtë veprim si një kërcënim, ndërsa të tjerë dyshojnë se transaksionet lidhen më shumë me ekonominë ruse të goditur nga sanksionet dhe alokimin e portofolit. Zotërimi rus i borxhit amerikanë është eklipsuar nga Kina dhe Japonia, që manaxhojnë të dyja valutat e tyre në mënyrë aktive dhe mbajnë secila më shumë se 1 trilionë tituj thesari në portofole.
Sipas analistëve, zotërimet e mëdha të Kinës shihen si një opsion përballë luftës tregtare, ndërkohë që Amerika shihet si e cënuar nga shitjet e borxhit nga Kina, gjë që mund të nxisë kostot e huamarrjes.
Lëvizjet e Rusisë në tregun e thesarit vijnë paralelisht me tensionet mbi ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet në SHBA në vitin 2016, gjë që është reflektuar në sanksione për vendin. Shitjet e Rusisë në muajin Maj, përkuan me rritjen e shpejtë të yield-it 10-vjeçar të Thesarit, ku preku nivelin më të lartë që prej vitit 2011. Edhe pse interesat kanë rënë nga niveli prej 3%, lëvizjet në yield sjellin ndikime për instrumente të tjera financiare si kreditë hipotekore dhe kreditë për makina, që bazohen zakonisht te kjo normë.
Zotëruesit gjigantë të borxhit amerikan mbanin rreth 6.21 trilionë dollarë, ndërkohë që totali i borxhit publik prekte 21.3 trilionë në muajin Korrik.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.