Rutte, një kryeministër për Europën

‘Është një mbrëmje ku Holanda, pas Brexit, pas zgjedhjeve në Amerikë, i thotë “stop” llojit të gabuar të populizmit’, tha Kryeministri Mark Rutte natën e fitores së tij.
Europa mori frymë lirisht atë natë, duke ditur që një tjetër makth si Brexit nuk do të përsëritej.
Ruttes tashmë i duhet të formojë një koalicion për të siguruar 75 deputetët e nevojshëm dhe e ka përjashtuar Wilders si opsion.
Mark Rutte u lind në ditën e Shën Valentinit në vitin 1967 në Hagë. Ai ka 6 vëllezër e motra të tjerë dhe ka qenë shumë inatçor si fëmijë.
Ky cen në temperamentin e tij nuk është zhdukur plotësisht, pasi ai mbeten ende një person i ndjeshëm.
Ndonëse në rininë e hershme kreu liceun artistik, ëndrra e tij për t’u bërë pianist u mposht nga fati për të ndjekur gjurmët e të atit.
Pasi kreu studimet e larta për histori, ai u bë menaxher për kompanitë Unilever dhe Calve dhe ndenji në këtë industri për 10 vjet.
Angazhimi në radhët e të rinjve të partisë që drejton aktualisht, bëri që të zgjidhej deputet në vitin 2003 dhe të kryente funksione në qeveri si zv/ministër i Punësimit dhe Çështjeve Sociale, Kulturës dhe Shkencës, dhe Arsimit.
Shumë shpejt ai u bë kryetar i grupit parlamentar të Partisë së Popullit për Liri dhe Demokraci, e pak më pas në 2006-ën u zgjodh kryetar i kësaj partie.
Në zgjedhjet e 2010-ës, ai drejtoi partinë e tij në fitoren e zgjedhjeve, por e vetmja mundësi për koalicion ishte me liberalët dhe kristian demokratët, si dhe me mbështetjen e jashtme të partisë së populistit Geert Wilders. Është pikërisht Wilders ai që më vonë do t’i vidhte qendrën e vëmendjes në sytë e Europës, për deklaratat e tij anti-islamike dhe anti-BE.
Rutte nuk pritet të kalojë aspak kohë me Wilders në të ardhmen, për faktin se të gjithë miqtë e tij më të mirë nuk kanë lidhje me politikën. Madje Rutte ka thënë se nuk ka ndërmend të jetë një politikan përgjithmonë.
Rutte përdor ende një Nokia për të dërguar mesazhe dhe fajëson gishtat e tij të mëdhenj që nuk e lejojnë të përdorë një smartphone.
Muzika e preferuar e Rutte-s është ajo klasike, sidomos veprat e Mozart-it, Brahm-it dhe Schubert-it, por kur vjen puna për muzikë më moderne ai preferon U2 dhe Bruno Mars.
Kryeministri i Holandës nuk është i martuar dhe kohën e lirë e kalon duke dhënë mësim në Kolegjin ‘Johan de Witt’ në Hagë.
Ai është shprehur se është një beqar i lumtur, por nuk mohon një martesë dhe fëmijë në të ardhmen.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.