Së shpejti aksione për ndotjen akustike – MTM dhe Bashkitë do të hartojnë planveprimet
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka miratuar kërkesat minimale për hartimin e planeve të veprimit për zhurmat, që i hap rrugë marrjes së masave konkrete për uljen e ndotjes akustike.
Njësitë e qeverisjes vendore në vend do të duhet të hartojnë planet ku analizohet situata në çdo njësi dhe parashikohen masat, aktivitetet dhe objektivat që duhen përmbushur në menaxhimin e zhurmave në mjedis.
Planet e veprimit duhet të identifikojnë burime kryesore të ndotjes akustike me ndikimin e secilit, si dhe duhet të përllogarisin edhe kostot e fondet e nevojshme për zbatimin e këtyre planeve.
Në udhëzimin e ministrit, një vëmendje e veçantë u kushtohet ndotësve si baret, restorantet, klubet e natës; sektorit të transportit; si dhe pajisjeve e makinerive që gjenerojnë zhurma.
Pas hartimit të planeve nga çdo njësi e qeverisjes vendore, duhet bërë konsultimi publik i masave që ato parashikojnë, si dhe duhet garantuar përputhshmëria me Planin Kombëtar të Menaxhimit të Zhurmave, i cili do të hartohet nga MTM.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.