Sejko, në takimet me FMN dhe BB – “Rritja e çmimeve në tregjet botërore, ndikim në ecurinë e inflacionit në Shqipëri”
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Grupit të Bankës Botërore, që për shkak të pandemisë u zhvilluan virtualisht. Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitetet më të njohura të fushës financiare ndërkombëtare.
Rritja e çmimeve në tregjet botërore do të ketë ndikimin e saj në ecurinë e inflacionit në Shqipëri dhe vlerësohet, sipas Guvernatorit, si një faktor rreziku për nivelin e inflacionit dhe – potencialisht – për shpejtësinë e rimëkëmbjes ekonomike, megjithatë efekti i tij pritet të jetë kalimtar. Si gjithmonë, Banka e Shqipërisë mbetet në monitorim të pasojave që do të ketë rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe në rast se ndikimi i saj në inflacionin vendas do të jetë më i lartë se pritjet, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të rishikojë qëndrimin e politikës monetare, duke u kujdesur që ajo të jetë gjithnjë në përputhje me objektivin e inflacionit.
Një tjetër çështje e diskutuar gjatë takimeve ishte konsolidimi i sistemit bankar, për të cilën Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet e fokusuar në mbikëqyrjen e këtij sistemi. Banka e Shqipërisë vlerëson se sistemi financiar dhe sektori bankar kanë vijuar të performojnë në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht rreziqeve të veprimtarisë. Për më tepër, Banka e Shqipërisë do të punojë për të mbështetur zhvillimin e tregut financiar me instrumentet e nevojshme, si dhe do të inkurajojë qeverinë të ndërmarrë veprime konkrete për të mbështetur deeuroizimin e ekonomisë së vendit.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.