“Serenissima” kërkohet nga doganat – Në listën e gjatë të borxheve shtohen dhe detyrimet doganore

Administrata doganore është vënë në radhë bashkë me kreditorët e tjerë për borxhet e pashlyera nga ana e kompanisë Serenissima Costruzioni. Më 5 korrik, Dogana e Durrësit i është drejtuar Qendrës Kombëtare të Regjistrimit për të publikuar shpalljen si debitor të kompanisë italiane, në pamundësi për të komunikuar me këtë të fundit në adresën zyrtare.
Sipas dokumentit të doganave, “Serenissima Costruzioni” rezulton debitore me shumën 8.5 milionë lekë, afro 80 mijë dollarë.
Pas prishjes së kontratës me Autoritetin Rrugor Shqiptar për ndërtimin e by pass-eve të Fierit e të Vlorës, kompania Serenissima Costruzioni është vënë nën mësymje nga furnitorët e saj për shkak të borxheve të pashlyera.
Gjatë dy muajve të fundit janë zhvilluar të paktën tre ankande për llogari të furnitorëve të cilat Serenissima Costruzioni nuk i paguante prej kohësh.
Në dy ankande janë shitur nga kompanitë përmbarimore vinçat makineritë, pajisjet e thërrmimit, deri dhe mjetet e transportit të kompanisë italiane. Në një ankand tjetër janë shitur një sasi e konsiderueshme tubash të kompanisë.
Në prill të këtij viti, Autoriteti Rrugor Shqiptar anuloi në mënyrë të njëanshme kontratat e lidhur me kompaninë italiane “Serenissima Construzioni”.
Shkak u bë zvarritja e punimeve përtej parashikimeve në kontratë të dy “by pass”-eve, gjë që u konsiderua e patolerueshme nga autoritetet shqiptare. Por ndërsa gjendet në mësymjen e një liste të gjatë kreditorësh, “Serenisma” vazhdon të shfaqet me statusin aktiv në Qendrën Kombëtare të regjistrimit.
Administratore e kompanisë rezulton shtetasja italiane Gabriella Maria Costantini, ndërkohë që kapitali i shoqërisë është vetëm 5.4 milionë lekë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.