Sfida e Britanisë së Madhe – Pas ndalimit të makinave tradicionale, mungesë elektriciteti
Britania e Madhe duhet të bëjë llogaritë mirë me një fenomen kritik që pritet të dalë në dritë pas ndalimit të makinave me moto me djegie; mungesën e energjisë. Nxjerrja nga qarkullimi i motorëve me djegie, e kryesisht atyre me naftë, do të rrisë ndjeshëm kërkesën për burime alternative të energjisë, dhe me boomin e makinave elektrike, kjo lloj energjie do të ketë nevojë për më shumë ofertë në treg.
Për të plotësuar këtë nevojë, duhen shpenzuar miliarda paund, si në fabrika, në rrjet, pikat e furnizimit të makinave elektrike. Kjo, për të shmangur mungesat lokale të energjisë elektrike.
Rrjetet lokale hasin edhe problematikën më të madhe. Kërkesa e përgjithshme vlerësohet që të rritet me të paktën 15%, e deri në 40% në orët e pikut. Ekspertët e fushës e vlerësojnë diçka të tillë si një sfidë për Britaninë, pasi nevojitet jo vetëm ekspertiza njerëzore por edhe shumë investime.
Qeveria britanike ka deklaruar se do të ndalojë shitjen e makinave me motor me djegie duke filluar prej vitit 2040. Në këtë vit pritet që në rrugët e ishullit të jenë në qarkullim 20 milionë makina elektrike, nga 90 mijë që janë aktualisht.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.