Sfidë mbetet rritja ekonomike – Zv/ministri Luçi flet në samitin e Malit të Zi

Reformat e ndërmarra nga qeveria bënë të mundur arritjen e konsolidimit fiskal, si dhe financa publike të qëndrueshme. Kështu u shpreh zv.ministri i Financave, Erjon Luçi, në Samitin e Ministrave të Financave te Ballkanit, që u mbajt në Beçiç-Budva, të Malit të Zi.
Sipas tij tashmë kemi një situate të përmirësuar të financave publike, edhe pse ka presione politike.
“Kemi arritur të ulim deficitin buxhetor në 150 milion euro. Nuk mendonim se do kishim një suficit, por kontrolli mbi financat publike, bëri që t’ia arrinim. Por kemi ende sfida siç është përshpejtimi i rritjes ekonomike dhe për këtë do të ndikojnë edhe reformat e ndërmarra, sidomos ajo në drejtësi. Por për qeverinë shqiptare mbeten sfida vazhdimi i reformave si në financat publike, reforma në drejtësi dhe reforma në administratën publike. Këto janë reforma që do të ndikojnë dhe në procesin e integrimit të vendit tonë në BE”, deklaroi Luçi.
Sipas Luçit, tashmë po ulet borxhi publik dhe financat publike janë drejt konsolidimit. I pranishëm në këtë konferencë, ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti, foli për zhvillimet më të fundit në ekonominë e këtij vendi.
“Reformat në financat publike kanë pasur ndikim të menjëhershëm në rritjen ekonomike, duke rezultuar me një përshpejtim të normës së rritjes nga 1.2% më 2014 në një mesatare prej 4% përgjatë 2015 dhe 2016”.
Efektet e politikave monetare në rajonin e Ballkanit ishin tema kryesore e samitit dy ditor që u zhvillua në Malin e Zi ku morën pjesë Guvernatorë të Bankave Qendrore dhe Ministra të Financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Samiti i përvitshëm i organizuar nga revista ekonomike serbe NIN, synonte edhe në koordinimin mes politikave fiskale dhe atyre monetare në secilin shtet.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.