Politika e re me Kubën – Trump mund t’i dëmtojë njerëzit, ndërsa synon t’i ndihmojë

Politika e re për Kubën, e presidentit amerikan Donald Trump mund t’i dëmtojë njerëzit, ndërkohë që ai po përpiqet ti ndihmojë ata.
Gjatë një fjalimi në Majemi, presidenti Trump tha se, do të anulojë politikat e Barack Obamës, që i kanë lejuar regjimit të Kastros të përfitojë nga turizmi.
Në vend të kësaj politike, Shtëpia e Bardhë prezantoi rregulla të reja, që synojnë ti japin fund metodës që kanë përdorur shumë amerikanë për të hyrë ligjërisht në Kubë.
Turizmi është teknikisht i ndaluar nga embargoja amerikane, por administrata Obama i lehtësoi rregullat, duke i lejuar amerikanëve të vizitojnë Kubën, nëpërmjet praktikës së ashtuquajtur “njerëzit për njerëzit”.
Por, sipas politikës së Trump, amerikanët që ndjekin këtë lloj udhëtimi do të duhet të shkojnë me grupe të miratuara.
Përveç angazhimit për të “ekspozuar krimet e regjimit të Kastros” dhe të fuqizojë kubanët, Trump kërkoi edhe lirimin e të burgosurve politikë dhe bëri thirrje për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Dhoma amerikane e Tregtisë dyshon se, politikat e shpallura nga Trump do të ndihmojnë në arritjen e rezultateve të synuara.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.