SHBA synon 1 miliard doza më shumë deri vitin tjetër – Bill Gates: Vdekjet nga Covid do të bien në nivelin e gripit nga mesi i 2022

Administrata Biden po vë në dispozicion miliarda dollarë për prodhuesit e ilaçeve për të rritur prodhimin kombëtar të vaksinave kundër Covid për t’i ndarë me botën dhe për t’u përgatitur për pandeminë e ardhshme. Autoriteti i qeverisë për Kërkime dhe Zhvillim të Avancuar Biomjekësor po u kërkon kompanive farmaceutike me një aftësi të provuar për të bërë vaksina mRna që të rrisin prodhimin e tyre.
Shtëpia e Bardhë shpreson se masa do të krijojë kapacitetin për të prodhuar një miliardë doza shtesë në vit. Ndërsa Shtetet e Bashkuara lëvizin drejt dozave të treta për të gjithë të rriturit, kombet më të varfra janë ende në pritje për të administruar të parën. “Qëllimi i këtij programi është të zgjerojë kapacitetin ekzistues me një miliardë doza shtesë në vit, me prodhimin që fillon në gjysmën e dytë të 2022”, tha koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për COVID-19, Jeff Zients, i cili njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar 250 milionë doza të vaksinave Covid-19 në nivel global – më shumë se çdo vend – me synimin për të ndarë më shumë se 1.1 miliardë doza deri në fund të 2022.
Vdekjet nga Covid dhe shkalla e infeksionit mund të bjerë nën nivelet e gripit sezonal nga mesi i vitit të ardhshëm, duke supozuar se nuk do të shfaqen variante të reja të rrezikshme ndërkohë është shprehur Bill Gates. Midis imunitetit natyror dhe vaksinës dhe trajtimeve të reja orale, “Shkalla e vdekshmërisë dhe shkalla e sëmundjes pritet të bjerë me shpejtësi,” theksoi themeluesi miliarder i Microsoft në Forumin e Ekonomisë së Re të Bloomberg në Singapor. Kufizimet për vaksinimin e botës kundër Covid-19 do të ndryshojnë vitin e ardhshëm, tha Gates, pasi problemet e furnizimit do të zgjidhen, megjithëse ato në logjistikën e shpërndarjes do të mbeten.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.