Shërbimet spitalore me shefa të rinj – Pas shtyrjes së mandatit me 3 vjet, përcaktohen kriteret përzgjedhëse
Pas një mandati të tejzgjatur shefat e shërbimeve në spitalet universitare do të ndërrohen. Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit kriteret që duhet të plotësojnë të gjithë kandidatët për të qenë shefa të një shërbimi në strukturat universitare. Një vendim ky, që është i vonuar në kohë pasi shefat aktual janë në këtë pozicion që nga viti 2011, në një kohë kur mandatet e tyre duhet të ishin 4-vjeçar.
Kështu shefat që drejtojnë shërbimet në QSUT, në Spitalin e Traumës dhe në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, e kanë mbyllur mandatin e tyre që në vitin 2015. Shtyrja e e mandatit të tyre me tre vjet ka ardhur pasi ata duhet të përzgjidheshin duke u bazuar në ligjin e ri për arsimin e lartë.
Sipas Këshillit të Ministrave, shef shërbimi mund të jetë edhe dikush që ka mbrojtur doktoraturën në një universitet të mjekësisë në Shqipëri, gjë që nuk ka qenë e pranueshme më parë, nëse nuk kishe titullin “Profesor”. Më parë doktoraturat duhej të ishin mbrojtur në një universitet mjekësie në vende të Bashkimit Europian, apo SHBA, Turqi, Australi dhe Japoni.
Kriter tjetër i ri është që, kandidati për shef shërbimi duhet të ketë qenë jo më pak se 8 vjet pedagog pa ndërprerje në fushën ku konkurron.
Të gjithë kandidatët konkurrues do të vlerësohen nga një komision i posaçëm në bazë të kritereve që përcakton një udhëzim i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit. Madje, kandidati fitues do të lidhë kontratë si me drejtuesin e institucionit të arsimit të lartë, në këtë rast me rektorin e Universitetit të Mjekësisë, ashtu edhe me drejtuesin e strukturës shëndetësore, pjesë e së cilës është shërbimi që ai do të drejtojë.
Para se të hapet proceduara e garimit duhet që të dalë edhe udhëzim nga të dy ministritë për përcaktimin e pikëve dhe kritereve të tjera të vlerësimit të kandidatit
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.