Sheshi “Skënderbej” – Veliaj: Do të jetë arena e madhe e Kampionatit Botëror
Qytetarët e Tiranës do të mund të ndjekin sfidat e Kampionatit Botëror të Futbollit me familjen e tyre nga arena e madhe që po ngrihet në sheshin “Skënderbej”. Në ditën e dytë të edicionit të 14-të të garës “Rally Albania” kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se sheshi do të jetë tërësisht në dispozicion të këmbësoreve dhe aktiviteteve të ndryshme social-kulturore.
“Qyteti është bërë më i jetueshëm pothuajse në çdo shesh. Po përgatisim sheshin “Skënderbej” në një arenë të madhe sportive për Kampionatin Botëror. Ka diçka te Pazari i Ri, ka diçka te Muzeu, pra qyteti është bërë i këndshëm për të jetuar, për të ecur dhe për të përdorur biçikletën”, tha Veliaj.
Veliaj u ndal edhe në transformimin e kryeqytetit gjatë viteve të fundit duke përmendur disa prej nismave kryesore të cilat sipas tij kanë ndikuar në transformimin e shërbimeve dhe infrastrukturës.
“Taksitë elektrike, biçikletat, shumë shpejt edhe autobusët elektrikë, janë mënyra se si mund të kapërcejmë disa etapa. Beteja për biçikletat në Holandë nuk është fituar para qindra vjetësh, por është fituar në vitet ’70, kur qytetet kuptuan se nëse secili përdor makinë, qytetet do të kolapsojnë. Po shohim se çfarë ka funksionuar në qytetet e tjera dhe po i zbatojmë në Tiranë”, tha Veliaj, teksa ftoi qytetarët që të përdorin si mjet transporti biçikletat Mobike.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.