Shfaqën shenja helmimi, MSH: Në spital u paraqit edhe lideri i opozitës Basha. Në QSUT ishin 76 pacientë, 9 të shtruar
Pas raportimit nga ana e Policisë së Tiranës për pacientët e paraqitur në spital me shenja helmimi, ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, ku konfirmon se mes pacientëve, rreth orës 5:00 të mëngjesit është paraqitur edhe lideri i opozitës Lulzim Basha me simptoma të ngjashme.
“Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (28 maj 2017) janë paraqitur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pacientë me shenja të helmimit (intoksikacion) si: skuqje të syve, djegie të syve, irritim të shprehur të lëkurës në zonat e ekspozuara të fytyrës dhe qafës, si dhe në raste të veçanta edhe vështirësi të lehtë në frymëmarrje. Sipas referimeve të marra nga mjekët në shërbim, të gjithë këta pacientë kanë qenë pjesëmarrës në aktivitetin e hapjes së fushatës elektorale të Partisë Demokratike, një natë më parë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë. Mes pacientëve, rreth orës 5:00 të mëngjesit është paraqitur edhe lideri i opozitës z. Lulzim Basha me simptoma të ngjashme”
Ministria e Shëndetësisë po punon për evidentimin e rasteve edhe në spitalet rajonale dhe qendrat shëndetësore në vend. Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë pjesa më e madhe e rasteve.
“76 pacientë nga të cilët 9 janë shtruar në shërbimin e okulistikës janë nën vëzhgimin e specialistëve. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Rendit dhe Drejtorinë e Policisë po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin.
“Lëndimi i qytetarëve në mitingun e PD”, Nishani: Po ndjekim me shqetësim dhe angazhim maksimal situatën
Edhe Presidenti Nishani ka reaguar përmes një deklarate për mediat për gjendjen shëndetësore të qytetarëve, pas aktivitetit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Në këtë deklaratë më tej thuhet se Presidenti po ndjek me shqetësim dhe angazhim maksimal situatën.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani po ndjek me shqetësim dhe angazhim maksimal situatën e rëndë që ka shkaktuar lëndimin e një numri të madh qytetarësh përfshirë edhe liderin e opozitës, z. Lulzim Basha, gjatë tubimit të çeljes së fushatës elektorale të opozitës ditën e djeshme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Presidenti i Republikës uron së pari shërimin sa më parë të të lënduarve dhe tejkalimin e kësaj situate pa pasoja. Presidenti po mban kontakte me të gjitha agjencitë ligjzbatuese për t’u informuar për zhvillimin e kësaj ngjarjeje si dhe kërkon angazhimin maksimal të tyre në zbulimin e plotë të saj”, thuhet në deklaratë.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.