Shfuqizohen licencat për 10 veprimtari – Pr/ligji për nxitjen e punësimit, liberalizohet tregu

10 veprimtari që aktualisht kryhen me licencë, përmes Qendrës Kombëtare të Biznesit, do të mund ushtrohen të lira.
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 7995, datë 20.9.1995 “Për Nxitjen e Punësimit”, të ndryshuar” i cili është depozituar në Kuvend, synon reduktimin e barrierave administrative, në kuadër edhe të reformës së derregullimit dhe me qëllim krijimin e lehtësirave të mëtejshme për përmirësimin e klimës së biznesit.
Në relacionin përkatës që shoqëron projektligjin, thuhet se është propozuar shfuqizimi i licencave për: “Shërbime ekspertize”; “Prodhim dhe/ose tregtimi i farave dhe fidanëve”; “Veprimtari në fushën e shëndetit publik, që nuk licencohen sipas një kategorie tjetër; “Veprimtaritë e ekspertizës lidhur me ndikimin në mjedis”; “Shërbime të ekspertizës dhe/ose profesionale lidhur me pyjet apo kullotat”; “Shpues profesionist për ujë”; “Shërbime ekspertize dhe/ose profesionale lidhur me burimet minerare”; “Shërbime ekspertize dhe/ose profesionale lidhur me burimet hidrokarbure”; “Shërbime ekspertize dhe/ose profesionale lidhur me burimet energjetike”; dhe “Ndërmjetësim në tregun e punës”.
Ndërkohë, ky projektligj parashikon se veprimtaritë e ndërmjetësimit për punësim dhe këshillim profesional sigurohen nga ana e Shërbimit Kombëtar të Punësimit ose subjekte private, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.