Ngadalësohet ekonomia italiane – Frenon rritja ekonomike dhe industria gjatë tremujorit të parë

Banka Qendrore e Italisë deklaroi se, rritja ekonomike si dhe prodhimi industrial me shumë gjasa janë regjistruar në ngadalësim gjatë tremujorit të parë të këtij viti, krahasuar me tre muajt e fundit të vitit të kaluar.
“Gjatë tre muajve të parë të vitit, Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit me shumë gjasa u zgjerua, paçka se me një hap më të ngadaltë se tre muajt paraardhës”, thuhet në deklaratën e Bankës Qendrore të Italisë.
Ekonomia italiane, e treta më e madhe në Eurozonë, me shumë gjasa u rrit me një hap prej 0.2% gjatë tremujorit të parë të vitit, krahasuar me tre muajt paraardhës.
Gjatë tremujorit të fundit të 2017-ës, rritja ekonomike fiksohej pranë 0.3%. Prodhimi industrial ndërkohë duket se nuk ka regjistruar fare rritje, ndërkohë që më parë rritej me 0.9%.
Të dhënat vijnë në serinë e atyre që tregojnë se ekonomia italiane po e humbet atë lloj ritmi që fitoi vitin e kaluar. Kriza politike që ka mbërthyer vendin nga ana tjetër, rrezikon të sjellë komplikacione edhe në ekonomi.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.