Shifrat/ AIR ALBANIA “rrëmbeu” 2 % të “tortës” së fluturimeve në qershor!
Referuar të dhënave zyrtare të ardhura në Autoritetin e Aviacionit Civil nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, shifrat tregojnë një numër prej 308 mijë e 879 pasagjerësh të cilët kanë udhëtuar gjatë muajit Qershor për/nga TIA.
Autoriteti i Aviacionit Civil ka evidentuar zotërimin e tregut të transportit ajror nga secila kompani, në përqindje për muajin Qershor 2019. Ajo që bie në sy është rritja për kompaninë Air Albania. Kompania shqiptare e fluturimeve zotëroi 2 % të tregut të fluturimeve.
Prezenca e kësaj kompanie pritet të rritet dhe më tej pas shtimit të linjave të reja që janë paralajmëruar në vjeshtë drejt vendeve të Europës.
Bazuar në të dhënat e mësipërme, kompania ajrore “Ernest S.p.A” është mbizotëruese në treg duke mbuluar fluksin më të madh të lëvizjes së pasagjerëve për muajin Qershor 2019, me një numër prej 50,765 pasagjerë ose 16% të totalit.
Ndjekur nga Blue Panorama me 14% ndaj totalit dhe 44,127 pasagjerë. Fluturimet charter këtë muaj zënë 16% të tregut me një numër prej 50,571 pasagjerë.
Sikurse mund të shihet edhe në grafik, kompanitë që fluturojnë drejt Italisë zotërojnë përqindjen më të madhe në tregun e transportit ajror për muajin Qershor 2019, me një numër pasagjerësh prej 140,640 dhe 46% të totalit. Për sa i përket fluturimeve charter të cilat zënë 16% të tregut, destinacionet janë të shumta.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.