Shitblerjet dhe bashkimet mund ta forcojnë sistemin bankar

Nga Ersuin Shehu
Herë pas here, shtrohet diskutimi nëse 16 banka tregtare janë shumë për një ekonomi me përmasat e Shqipërisë. Në një këndvështrim të thjeshtë krahasues, nuk mund të thuhet a priori se tregu ka një numër të tepërt bankash. Për shembull, Maqedonia dhe Mali i Zi, dy ekonomi më të vogla, kanë 15 banka të licencuara. Serbia është një treg më i madh, por edhe numri i bankave është dy herë më i lartë, 30. Më shumë sesa numri i bankave në vetvete, ajo çka është e rëndësishme është se sa të forta dhe konkurruese mund të jenë në treg të gjitha këto banka. Që në një treg ka aktorë të mëdhenj dhe aktorë të vegjël, kjo është e kuptueshme. Por, në çdo treg strategjik, prania afatgjatë përcaktohet nga aftësia për të siguruar fitime të kënaqshme për aksionerët, ashtu si edhe nga aftësia për të akumuluar kapitale që do të mbështesin rritjen e mëtejshme të aktivitetit.
Tregu shqiptar ka mjaft banka që, pavarësisht nga madhësia absolute, në vitet e fundit janë rritur në mënyrë mbresëlënëse. Por, ka edhe banka që, megjithë praninë e gjatë në treg, nuk duken të kenë aftësinë për t’u zgjeruar dhe për të fituar pjesë tregu domethënëse. Tre prej këtyre bankave mbajnë më pak se 1% të totalit të aktiveve dhe kanë një rol pothuajse të papërfillshëm në treg. Një grup tjetër i bankave janë ato që i takojnë grupeve të huaja, të cilat kanë vendosur të tërhiqen nga shumica e tregjeve të Europës Juglindore. Kjo është një vendimmarrje strategjike, që në disa raste nuk lidhet domosdoshmërisht me performancën e këtyre bankave në tregun shqiptar. Por, pavarësisht nga kjo, ky vendim natyrshëm e ul ndjeshëm përkushtimin ndaj tregut shqiptar. Në një afat të gjatë, këto dy grupe bankash nuk mund t’i ofrojnë tregut konkurrencë efektive. Një treg mund të jetë më konkurrues edhe me një numër më të vogël bankash, por që kanë mundësinë dhe ambicien për t’u rritur. Në këtë kuptim, për kushtet aktuale, një farë përqendrimi mund të jetë i dobishëm për tregun bankar shqiptar. Ky proces mund të thuhet që ka nisur, pas blerjes së grupit “Veneto Banca” nga “Intesa Sanpaolo” dhe, me shumë të ngjarë, do të vazhdojë më tej. Tashmë, ka negociata të hapura për bashkim përmes përthithjes ndërmjet bankave që operojnë aktualisht në tregun shqiptar.
Një aspekt tjetër për t’u marrë në konsideratë është eficienca. Prej vitesh, është krijuar miti se bankat janë shumë fitimprurëse. Kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë. Fitimet e mëdha në vitet e fundit kanë qenë të përqendruara në vetëm tre banka. Pjesa tjetër e tyre kanë arritur fitime modeste, në vlera të ulëta njëshifrore të kthimit nga kapitali; një pjesë tjetër, prej vitesh regjistrojnë kryesisht humbje. Të tilla rezultate, në afatin e gjatë, nuk justifikojnë kapitalin e investuar nga aksionerët. Për më tepër, bankat janë aktivitete që kërkojnë sasi të konsiderueshme kapitali, për shkak të kërkesave rigoroze rregullatore. Alokimi i kapitaleve të mëdha në aktivitete me humbje ose me fitime të papërfillshme sigurisht që nuk është eficient. Kjo është një nga arsyet kryesore pse disa prej investitorëve të huaj po mendojnë të shesin bankat e tyre në Shqipëri.
Në fund të fundit, krizat janë momente që sjellin edhe ndryshime në strukturën e tregjeve. Ndonëse për sistemin bankar shqiptar kriza nuk pati pasoja serioze, sërish ajo bëri një lloj “seleksionimi natyror”. Disa banka dolën më të forta dhe në rritje, të tjera në rënie dhe me vendimin për të dalë nga tregu. Rrjedhimisht, në këtë moment duket e natyrshme që numri i bankave në treg të jetë më i ulët, pa nënkuptuar sigurisht që ky do të jetë një ekuilibër i përhershëm. Pasi cikli i ri i rritjes ekonomike të konsolidohet, nuk përjashtohet që në treg të duan të hyjnë aktorë të rinj. Megjithatë, ky është një skenar për të ardhmen. Për momentin, tregut do t’i shërbenin më mirë më pak banka, por më të forta, sesa një numër më i madh bankash, që nuk kanë shumë për të dhënë as për publikun shqiptar dhe as për aksionerët e tyre.
SCAN MAGAZINE
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.