Shitjet e biznesit – Rritja e vitit 2015 tkurret në 3.6%
Biznesi shqiptar i rriti shitjet me 3.6% për vitin 2015. Të dhënat finale të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve 2015, publikuar të enjten nga Instituti i Statistikave, ka korrigjuar në ulje nivelin e rritjes së shitjeve në ekonomi.
Në nëntor të vitit të kaluar, Instat kishte raportuar paraprakisht një rritje prej 4.7%. Shifra e rishikuar tregon se norma e rritjes së shitjeve në ekonomi është ndjeshëm më e ulët krahasuar me rritjen prej 6.3% të vitit 2014.
Rritja më e dobët e shitjeve përfaqëson një lloj paradoksi, po të kemi parasysh se rritja ekonomike për vitin 2015 është llogaritur më e lartë krahasuar me vitin 2014. Sipas Instat, në vitin 2015 rritja ekonomike ishte 2.59%, kundrejt rritjes prej 1.83% në vitin 2014.
Për një ekonomi me rritje më të lartë, nuk është e natyrshme që shitjet e sektorit privat të rriten me ritme më të ulëta. Kontributi në rritjen e shitjeve ka ardhur kryesisht nga dega e shërbimeve, që ka kontribuar për 1.9% të rritjes totale të shitjeve, ndërsa prodhuesit e të mirave me 1.7%.
Anketa konfirmon rritjen me ritme të larta të investimeve, që për vitin e kaluar u zgjeruan me 14.9%. Kjo rritje ishte edhe më e lartë se rritja me 12% e vitit të mëparshëm, çka provon kontributin e lartë të investimeve në rritje.
Sipas Instat, mbi 28% e investimeve janë kryer në sektorin energjetik, kryesisht në ndërtimin e veprave të reja.
Rritje akoma më të lartë ka regjistruar punësimi. Sipas Instat, për vitin e kaluar punësimi në sektorin privat është zgjeruar me 17.4%, nga 7.7% që kishte qenë rritje në vitin 2014.
Ky është një konfirmim i mëtejshëm i përmirësimit të treguesve të punësimit në ekonomi, megjithatë, rritja më e lartë e punësimit në raport me shitjet e bën akoma më të mprehtë problemin e produktivitetit të dobët të punës.
Kjo është një dobësi konkurruese e ekonomisë shqiptare në raport me të gjitha vendet e tjera të rajonit, e theksuar në fillim të këtij muaji edhe në një studim të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Numri i ndërmarrjeve aktive në ekonomi vitin e kaluar ishte afro 105 mijë, në rritje vjetore me rreth 23%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.