Shkarkohet kreu i ARRSH – Largimi, pas skandalit te Unaza e Madhe, vjen Sonila Qato
Shkarkohet nga detyra kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro ndërkohë që në vend të tij është emëruar ish-ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, e cila la kabinetin qeveritar pas ndryshimeve të muajit dhjetor. Shkarkimi i Qendros vjen pas publikimit të skandalit të falsifikimit të dokumenteve nga kompania ‘DH Albania’, e cila u shpall fituese për ndërtimin e lotit të parë të Unazë së Madhe, me një vlerë prej 18 mln euro.
Ndërkaq, një ditë më parë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku shkarkoi edhe drejtorin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Klodian Gradeci, duke qenë se e njëjta kompani, fitoi tenderin për ndërtimin e linjës 220 kv Burrel-Peshkopi, me vlerë 12 mln euro. ‘DH Albania dorëzoi pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një dokument të falsifikuar të sekretarit të shtetit të Delawere në SHBA, sipas të cilës kompania mëmë ishte krijuar qysh në vitin 1998, por në të vërtetë ajo ishte regjistruar vetëm në qershor të vitit 2018.
Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se falsifikimi është shtrirë edhe në shtetin shqiptar, duke qenë se përkthyesja e dokumenteve nuk rezulton në regjistrin e përkthyesve zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, por pavarësisht kësaj përkthimi është noterizuar duke i dhënë legjitimitet të plotë. Pas publikimit të skandalit, prokuroria ka nisur hetimet, ndërkohë që 2 garat e mësipërme u rihapën.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.