Shkelën rregullat e qarkullimit- Tola: Në korrik janë penalizuar 490 drejtues, mos korruptoni policët
490 drejtues mjetesh janë penalizuar përgjatë muajit korrik për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Policia Rrugore ka forcuar masat përgjatë sezonit veror, ndërkohë që sipas drejtorit të përgjithshëm Mitat Tola vëmendje i është kushtuar edhe korruptimit të punonjësve të policisë nga ata shoferë që duan t’iu shmangen gjobave.
“Gjatë javës së fundit, Policia Rrugore ka arrestuar 85 drejtues automjetesh që drejtonin mjetin në gjendje të dehur. Gjithashtu ka arrestuar edhe 151 drejtues mjeti që qarkullonin pa leje drejtimi. Në të gjithë muajin Korrik, falë aktivitetit të Policisë Rrugore janë ndëshkuar 491 drejtues mjetesh për shkelje të Kodit Rrugor, kryesisht për tejkalim shpejtësie, për parakalim të gabuar, mospërdorim të rripit të sigurimit, për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit dhe për shkelje të tjera të trafikut rrugor. Policia Rrugore ka rritur ndjeshëm forcën ndëshkuese ndaj drejtuesve të mjeteve dhe personave që tentojnë të korruptojnë punonjësit e policisë, për t’iu shmangur masave administrative për shkeljet që ata kanë kryer gjatë drejtimit të mjeteve të tyre”, u shpreh Tola.
Si pasojë e fluksit të shtuar, Tola iu bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që të respektojnë shpejtësinë, të vendosin rripin dhe të mos përdorin celularët gjatë kohës që janë duke drejtuar mjetin. Po ashtu, vëmendje kërkohet edhe nga këmbësorët, të cilët duhet të ecin në vijat e bardha si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.