Shkëmbimet tregtare – A po rikuperojmë? – SCAN MAGAZINE

Nga Jenida Vladi
DISTANCIM! Me siguri kjo është një nga fjalët më popullore të vitit. Dhe në këtë rast nuk është fjala vetëm për distancimin social, i cili është vetëm zanafilla e distancave që në mënyrë të pashmangshme do të përktheshin në të gjithë hallkat dhe sektorët e ekonomisë; tregti, transport, turizëm, etj. Masat parandaluese të përhapjes së pandemisë në tremujorin e parë të vitit janë reflektuar në çdo raport statistikor, megjithatë, stacioni i ndalesës në këtë artikull është raporti i tregtisë së jashtme.
Në një panoramë të përgjithshme të tregtisë së jashtme për periudhën janar – shtator 2020, Shqipëria ka ndjerë një rënie të eksporteve me afro 14%. Sipas raportit të Institutit të Statistikave, eksporti në këtë periudhë 9 mujore ka qenë afro 195 miliardë lekë; thënë ndryshe, 30 miliardë lekë më pak, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2019. Nga ana tjetër, importet kanë rënë me afro 11%. Në janar – shtator 2020, vlera e mallrave të importuar rezulton afro 428 miliardë lekë, kur 9 mujorin e vitit paraardhës, vlera ishte 481 miliardë lekë, me një diferencë afro 53 miliardë lekë.
A po shkurtohet ‘distancimi tregtar’?
Sipas raportit më të fundit të Instat, Shqipëria ka nisur rrugën e rikuperimit sa i përket tregtisë së jashtme. Sigurisht që shtatori është i pamjaftueshëm kundrejt të gjithë pjesës së parë të vitit, megjithatë është një tregues pozitiv. Shifrat tregojnë se në shtator eksportet janë rritur jo vetëm krahasuar me gushtin, por edhe me shtatorin e vitit 2019. Në total, vlera e eksporteve në këtë muaj të 2020 ka qenë 25 miliardë lekë, afro 30% më e lartë krahasuar me gushtin e këtij viti, si dhe 1.2% më e lartë se shtatori i vitit 2019. Nga ana tjetër, importi i mallrave ka arritur vlerën 52 miliardë lekë, afro 9% më shumë se në gusht 2020, si dhe 0.3% më shumë se në shtator 2019.
Shkëmbimet tregtare Shqipëri – Kosovë. Ku ishin e ku janë?
Eksportet drejt Kosova kanë rënë me 20%, krahasuar me periudhën janar – shtator 2019. Sipas shifrave të Instat, nga 22.6 miliardë lekë mallra të eksportuara në periudhën 9 mujore të një viti më parë, për po të njëjtën periudhë të këtij viti, Shqipëria ka eksportuar 4.6 miliardë lekë më pak mallra. Megjithatë, rezulton se shtatori ka qenë një muaj rikuperimi për shkëmbimet tregtare Shqipëri – Kosovë. Mallrat e eksportuara drejt Kosovës në këtë muaj të vitit kapin vlerën 2.7 miliardë lekë, në një kohë që në shtator 2019, kjo vlerë ishte 2.4 miliardë lekë. Nga ana tjetër, ashtu sikur eksportet drejt Kosovës, edhe importet kanë ndjerë luhatje. Në periudhën janar – shtator 2019, Shqipëria importoi mallra me vlerë 5.9 miliardë lekë nga Kosova, në një kohë që për po të njëjtën periudhë të këtij viti, vlera ra në 5.8 miliardë lekë. Sipas shifrave, duket se as në shtator ky trend nuk ka ndryshuar, pasi nga 761 milionë lekë import në shtator 2019, vlera ka shkuar në 751 milionë lekë në shtator 2020.
Vijimësia e shkëmbimeve tregtare me Italinë
Në janar – shtator 2020, eksporti i mallrave me Italinë ka rënë me afro 20%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Saktësisht, afro 20 miliardë lekë më pak eksporte se në 2019. E ndërsa shtatori ka rezultuar si një muaj pozitiv përsa i përket eksporteve të Shqipërisë me shumë shtete partnere, eksportet me Italinë kanë rikuperuar sa i përket gushtit të 2020, por megjithatë, eksporti në shtator 2020 ka qenë më i ulët se ai në shtator 2019. Kjo “shkundje” është ndjerë edhe te importet me Italinë, të cilat në janar – shtator 2020 kanë rënë me afro 14% krahasuar me të 9 mujorin e vitit paraardhës. Thënë ndryshe, Shqipëria ka importuar mallra me vlerë 122.6 miliardë lekë në 9 mujorin e 2019, ndërsa në 2020, për po këtë periudhë, importi nga Italia u shënua në vlerën 105.3 miliardë lekë, afro 17 miliardë lekë më pak.
“3 musketjerët” e pandemisë
Eksporti vendas që normalisht orientohej drejt Italisë, duket sikur është “copëzuar” në 3 shtete, përkatësisht Turqi, Gjermani dhe Kroaci. Në një situatë si kjo e pandemisë, eksporti me Gjermaninë është rritur me afro 9%, me Turqinë me afro 20%, e ndërsa me Kroacinë me afro 50% (periudha janar – shtator 2020). Sipas shifrave të Instat, eksporti me Gjermaninë në 9 mujorin e 2020 është rritur me 957 milionë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Ndërkaq, me Kroacinë eksporti është rritur me 386 milionë lekë në janar – shtator 2020, ndërsa sa i përket eksporte drejt Turqisë është 296 milionë lekë më shumë, duke shënuar kështu tre marrëdhëniet tregtare që nuk i preku pandemia e COVID – 19.
Ku po shihen gjurmët e para të rikuperimit?
Muaji shtator ka tejkaluar vlerën e eksporteve me disa shtete, krahasuar me shtator 2019. Këto pritshmëri (përpos Kosovës, me të cilën eksportet u rritën me 297 milionë lekë, krahasuar me shtator 2019) janë ndjerë nga disa shtete. Sipas shifrave të Instat, në muajin e nëntë të këtij viti, Shqipëria ka eksportuar 281 milionë lekë më shumë mallra në Greqi (krahasuar me shtator 2019). Po njësoj, edhe me Maqedoninë e Veriut eksportet kanë ndjerë rritje. Instat tregon se në janar – shtator 2020, vlera e mallrave të eksportuar drejt Maqedonisë së Veriut ishte 896 milionë lekë, kur për po të njëjtën periudhë të vitit 2019 kjo vlerë ishte 740 milionë lekë. Nga ana tjetër, marrëdhëniet tregtare me Mbretërinë e Bashkuar, sa i takon eksportit janë rritur me 7 milionë lekë, krahasuar me shtator 2019, ndërsa me Shtetet e Bashkuara, vlera e eksporteve është rritur me 83 milionë lekë në këtë muaj të 9 të vitit. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ky trend do të ruhet edhe përgjatë periudhës së mbetur të vitit, çka për shkak të paqartësisë së pandemisë, ndikohet direkt si nga marrja, e si nga mos-marrja e masave “COVID – 19”.
Jenida Vladi / SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.