Shkenca e penalltive, ku duhet të gjuajnë futbollistët? – Frika ndikon si portierin, ashtu edhe gjuajtësit
Penalltitë janë padyshim një prej protagonistëve kryesorë të kampionatit botëror. Por 11-metërshat janë edhe një prej gjesteve sportive më të studiuara nga shkencëtarët, falë sasisë së madhe të të dhënave zyrtare, të cilat e kanë bërë një nga terrenet më të mira për të studiuar mekanizmat vendimtarë në momentet e presionit të madh psikologjik.
Nga momenti kur gjuhet topi, i duhen më pak se 3/10 e sekondës për të përshkuar 11 metrat nga pika e bardhë tek vija fatale e portës. Kjo është një kohë shumë më shkurtër se koha që i duhet portierit për të reaguar, ndaj atij i duhet të hidhet përpara se të gjuhet topi. Në këtë mënyrë, kush gjuan duhet ta gënjejë portierin me finte apo gjeste që fshehin drejtimin e vërtetë të topit.
Ndër 361 penalltitë e gjuajtura në botëror nga viti 1976 deri në 2012, duket se shumica e portierëve vuajnë nga një “sindromë e kumarit”. Nëse bëhen disa gjuajtje radhazi nga e njëjta anë, portierët bëhen më të predispozuar për t’u hedhur nga ana tjetër. Njëlloj si mania e atyre që luajnë kumar për të vënë bast për të kuqen pasi del e zeza disa herë.
Nëse kjo duket si një sjellje që dëmton portierët, ajo në fakt nuk shfrytëzohet nga futbollistët. Rezulton në fakt se krahu i gjuajtjes nuk varet nga gjuajtjet e mëparshme.
Për të pasur shansin më të madh për të bërë gol atëherë duhet të gjuash në të njëjtin drejtim që gjuajti edhe shoku paraardhës. Sipas studimit, në 55% të rasteve portieri do të hidhet në anën e kundërt.
Më mirë në mes
Meqë portierët zgjedhin gjithmonë të hidhen majtas ose djathtas, duket sikur të gjuash penalltinë në mes të dy shtyllave është gjëja më e mirë. Statistikat e mbështesin këtë strategji.
Një studim i vitit 2002 mbi 459 penallti të gjuajtura në Serinë A dhe Ligën e parë në Francë tregoi se topat e gjuajtur në mes kanë 81% sukses, ndjekur nga 76% për topat e gjuajtur majtas dhe 70% për topat djathtas.
Por sipas psikologut izraelit Daniel Khaneman, i cili ka fituar çmimin Nobel për ekonominë, të gjuajtur në mes përbën një sjellje që devijon nga norma dhe të zgjedhës ta bësh atë rrit emocionet për atë që zgjedh ta bëjë. Për këtë arsye, edhe futbollistët më të mirë zgjedhin ta evitojnë, nga frika se mos dështojnë keq.
Të qëndruarit në mes të portës duket se është strategjia më e mirë edhe për portierët. Sipas statistikave të kampionateve kryesore të botës, portierët që qëndrojnë në mes arrijnë të ndalin 60% të gjuajtjeve qendrore, si edhe në pjesë të vogël të gjuajtjeve në anë.
Por krahas kësaj, portierët zgjedhin në shumicën e rasteve të hidhen, sepse të pësosh gol pa provuar, të paktën në dukje, duket shumë keq.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.