Shkrirjet në bankat e Eurozonës – Do të marrin nxitje nga rregullatorët, ekzekutivët janë skeptikë

Shkrirjet e ardhshme të bankave në BE do të kënaqin më shumë rregullatorët se sa aksionerët. Një dekadë pas ofertës së Royal Bank of Scotland drejt huadhënësit holandez ABN Amro, institucionet financiare në Europë janë përsëri në qendër të spekulimeve për shkrirjet përtej kufijve.
Pas krizës financiare në 2008-ën, blerja nga bankat europiane të rivalëve përtej kufijve ishte një tabu për bankierët, politikanët dhe rregullatorët. Tashmë, unioni bankar në Europë ka ndryshuar qëndrim. Kriza e borxheve sovrane në valutën e përbashkët ekspozoi rreziqet e ndërthurjeve mes bankave dhe qeverive, ndërkohë që Irlanda dhe Spanjë u detyruan të kërkojnë ndihmë financiare nga vende të tjera, për të shpëtuar huadhënësit e vetë.
Në një përpjekje për të thyer këtë lidhje, politikëbërësit ia kaluan përgjegjësinë për rregullimin e bankave në Eurozonë, një mbikëqyrësi të ri, të vendosur brenda Bankës Qendrore Europiane. “Unioni bankar ka hapur rrugën e shkrirjeve përtej kufijve”, deklaroi në Shtator shefja e mbikëqyrjes së BQE, Daniele Nouy.
Përkrahësit e këtyre dakordësive mes bankave kanë 4 argumente bazë. Fillimisht, shkrirjet brenda sektorit do të ndihmojnë në tkurrjen e një industrie që është ende e madhe dhe e fragmentuar, me aktivet e bankave në Eurozonë që arrijnë në 280% të PBB së rajonit. Së dyti, marrëveshjet përtej kufijëve do të krijojnë huadhënës më të diversifikuar që mund të përballojnë më mirë goditjet lokale ekonomike.
Së treti, konsolidimi do të nxisë eficencën dhe në përfundim, bankat e mëdha europiane do të jenë në një pozitë më të mirë për të konkurruar me rivalët aziatikë dhe në SHBA. Megjithatë ekzekutivët mbeten skeptikë. Huadhënësit me filiale në shumë juridiksione, përballen me pengesa në lëvizjen e parasë përtej kufijve. Taksat, rregulloret dhe ligjet për mbrojtjen e konsumatorit, kanë diferenca gjithashtu brenda vendeve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.