Shlyerja detyrimeve të prapambetura, Denaj: Për vitin 2019 kemi planifikuar 19 miliardë lekë
Lufta kundër informalitetit dhe konkurrencës së pandershme nuk duhet të jetë “ad hoc”, e ndërtuar në aksione të ndërmarra në mënyrë sporadike. Gjatë një takimi me Dhoma Amerikane e Tregtisë, ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj deklaroi se tashmë ka ardhur koha e një hartimi të një strategjie afatmesme, ku politikat fiskale të parashtrojnë vizionin dhe masat ndaj biznesit të jenë të paralajmëruara dhe mirë kalkuluara.
“Përpjekjet tona në këtë drejtim do të fokusohen në:
Qasjen sistemike përmes fokusimit në sistemet e monitorimit të riskut. Implementimi i sistemeve të auditimit dhe rafinimi i profileve të riskut do të jenë disa nga faktorët kyç në drejtim të suksesit për formalizimin e ekonomisë dhe antiinformalitetit.
Përmirësimin e mëtejshëm të proçedurave fiskale, nëpërmjet thjeshtësimit të mëtejshëm të legjislacionit të agjencive që mbledhin të ardhurat
Rritja e transparencës duke e bërë informacionin për taksapaguesin sa më të aksesueshëm dhe user-friendly përmes platformave online.
Kam ndjekur me vëmendje të gjitha shqetësimet tuaja dhe një nga përpjekje të rëndësime në drejtim të trajtimit të barabartë të sipërmarrjeve dhe transparencës do të jetë “shlyerja detyrimeve të prapambetura”. Në këtë drejtim po analizojmë me kujdes situatën, për ti dhënë një zgjidhje sistemike problematikës që lidhet me detyrimet e prapambetura. Për vitin 2019 kemi planifikuar 19 miliard lekë, e cila përbën një shifër rekord në planin e rimbursimit dhe jemi duke ndjekur një skedul të qartë për zbatimin e tij.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë po monitoron nga afër planin e shlyerjes dhe metodologjinë e pagesave dhe vetëm në janar 2019 janë rimbursuar 1.7miliard lekë niveli më i lartë i dhënë në terma mujore”, deklaroi ministrja.
Denaj tha se Qeveria Shqiptare i jep një rendësi të veçantë marrëdhënieve me biznesin dhe dëshmi e qartë janë të gjitha reformat strukturore që janë ndërmarrë vitet e fundit në të gjithë sektorët e ekonomisë, regjimit fiskal dhe veçanërisht në reduktimin e praktikave burokratike për tërheqjen e investimeve, si dhe rritjen e konkurrueshmërisë si faktor kyç për zhvillimin ekonomik.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.