Shqipëria, “Bum” i Internetit gjatë Pandemisë – 500 mijë abonentë në rrjetet fikse, rritje rreth 28.6% përmes telefonave celularë
Shqipëria tejkaloi për herë të parë shifrën e 500 mijë pajtimtarëve me akses broadband fiks, duke njohur një rritje 15% më të lartë se në vitin 2019, ndërkohë që rritje kanë treguar të gjithë treguesit që kanë të bëjnë me përdorimin e teknologjisë në të gjithë vendin. Në raportin e fundit të ITU, Shqipëria vlerësohet si një vend me rritje nga më të shpejtat të internetit nga rrjetet fikse për 100 banorë, me një normë penetrimi 17.6 %, mbi normën mesatare globale të 15.2%3. Të dhënat vijnë përmes raportit të AKEP mbi tregun e komunikimeve elektronike për vitin 2020. Trafiku i internetit broadband nga rrjete fikse arriti në rreth 600 milionë GB, ose rreth 32% më shumë se viti 2019, çka tregon se pajtimtarët e këtij shërbimi kanë shfrytëzuar këtë rrjet për të aksesuar shërbimet e tyre, financiare, informative, sociale, shëndetësore, në mënyrë sistematike. Për arsye të një përdorimi masiv të telefonisë së lëvizshme, përmirësimi i cilësisë dhe shpejtësisë së internetit mobile ka qenë gjithashtu një nevojë që operatorët e mëdhenj vendas të telefonisë janë duke e përmbushur progresivisht.
Volumi i të dhënave të transmetuara nëpërmjet internetit në rrjetet mobile, arriti në rreth 89 milionë GB. Kjo përbën një rritje rreth 28.6% krahasuar me vitin 2019. Instalimi i infrastrukturave dhe sistemeve 4G dhe 4G+ përmes përdorimit masiv të brezit të frekuencave 800Mhz, është një nga arsyet e përmirësimit të ndjeshëm të performancës broadband të këtyre operatorëve. Këto transformime, si edhe shumë të tjera të vërejtura dhe të analizuara në raport, kanë pasur efekte interesante dhe hera herës të diskutueshme në sektorin e komunikimeve elektronike dhe postare. Në tregun e telefonisë celulare, të parë tradicionalisht si të ngërthyer në një funksionim të përqendruar dhe me konkurueshmëri të dobët, forma të reja të konkurrencës, shpesh inovative por edhe agresive janë vëzhguar dhe adresuar nga AKEP. Dukuri të tilla e kanë detyruar autoritetin rregullator të intensifikojë mbikëqyrjen e tregjeve përkatës dhe të marrë masa e duhura sipas ligjit, në respekt të transparencës dhe konkurrencës efiçente, të lirë dhe të ndershme.
Për t’u shënuar gjatë vitit 2020 janë gjithashtu edhe një seri nismash që AKEP ka marrë në fushën e partneriteteve, për të standardizuar, konform shtetit të së drejtës dhe detyrimeve ligjore për sigurinë e rrjeteve dhe mbrojtjen e privatësisë së përdoruesit, qasjen dhe mjetet për përftimin e rrjeteve dhe teknologjive të pastra, në kuadër të implementimit të ardhshëm të teknologjive dhe rrjeteve të brezit të ri.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.