Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut drejt heqjes së kontrolleve doganore për prodhimet bujqësore- Çuçi pret homologun nga Maqedonia e Veriut
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të shkojnë drejt heqjes së kontrolleve doganore për prodhime bujqësore. Dy vendet do të nënshkruajnë brenda këtij viti një Marrëveshje Fitosanitare, e cila lehtëson shkëmbimet tregtare të produkteve bujqësore mes dy vendeve.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, zhvilloi një takim me homologun nga Maqedonia e Veriut, Trajan Dimkovski, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.
Çuçi tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë axhendë të përbashkët në rrugën e integrimit europian, ndaj është me rëndësi intensifikimi i bashkëpunimit midis dy vendeve, në sektorin bujqësor dhe zhvillimin rural.
“Janë bërë hapa përpara që pas takimit të fundit në nivel ministrash duke e ulur nga 100% në 20% kontrollin e analizave fitosanitare. Ka ardhur koha që edhe këtë 20% ta rishikojmë” tha Çuçi.
Çuçi i shtroi homologut të tij edhe problemin e eksportit të qumështit UHT nga Shqipëria në Maqedoninë e Veriut, duke i përmendur disa kompani shqiptare me standarde të larta që po pengohen nga autoritetit e vendit fqinj për të shitur produktet e tyre.Po ashtu, Çuçi referoi edhe dy probleme të tjera të cilat duhen adresuar për zgjidhje; eksporti i kafshëve të gjalla drejt Maqedonisë së Veriut dhe administrimi i përbashkët i dy liqeneve kufitare në lidhje me peshkimin.
“Ne importojmë kafshë të gjalla nga Maqedonia e Veriut. Sinqerisht nuk e kuptoj përse kemi pengesa për të patur qarkullimin e kundërt; eksportin e kafshëve nga Shqipëria në vendin tuaj. Ka ardhur koha që të kemi një marrëdhënie reciproke të shëndetshme në lidhje me këtë lëvizje” shtoi ministri Çuçi.
Në përfundim të takimit, të dy ministrat u dakordësuan që tre grupe pune të ndjekin këto çështje në nivel teknik dhe më pas të mbërrihet tek nënshkrimi i marrëveshjes.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.