Shqipëria gati për amnisti të përgjithshme, kryeministri: Me një afat të kufizuar legalizohen paratë dhe asetet. Paratë t’i fusin nëpër banka. Asetet t’i deklarojnë
Shqipëria do të shpallë një amnisti të përgjithshme për legalizimin e kapitaleve. Kjo u paralajmërua nga kryeministri Edi Rama në Kongresin Zgjedhor 2020. Kryeministri tha se aministia e përgjithshme do të jetë për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, me një afat të kufizuar që të gjitha paratë, të gjitha asetet t’i deklarojnë.
“Dua ta mbyll me ekonominë, për t’ju thënë që rindërtimi nuk do të jetë vetëm një program strehimi, as edhe vetëm një program infrastrukture. Do të jetë një program rritjeje ekonomike.
Ashtu sikundër, duke marrë parasysh se sa shumë njerëz janë shqetësuar dhe janë shqetësuar të gjithë pothuajse nga OFL, se nuk e kuptojnë ku mbaron OFL dhe faktikisht e dimë shumë mirë që informaliteti i parasë dhe informaliteti i pasurive në Shqipëri është gjigand, kemi adresuar vetëm një aspekt të tij, informalitetin e shtëpive të ndërtuara pa leje, por nuk kemi adresuar informalitetin e parasë.
Sa kursime emigrantësh rrinë nën jastëk?
Sa kursime emigrantësh nuk hyjnë dot në bankë?
Sa makina të blera nga emigrantët me punë të ndershme mund t’i kapë nesër ligji, pavarësisht se ky ligj nuk ka lidhje me ta?
Por Shqipëria nuk mund të vazhdojë të paguajë për arsimin dhe vajzat që mësojnë kur dalin për të shkuar me shoqet të shikojnë makinat më të shtrenjta, në timon injorantët më të mëdhenj, të veshur me firmat më luksoze, që, faktiksiht e bëjnë zero të gjithë propagandën që bëjmë nëpër shtëpi: “mëso xhan i babit”, “mëso xhan i mamit”.
“Të mësoj? Cfarë të mësoj? Unë mësoj, shkoj atje, vjen tjetri me “Lamborgini” s’di të thotë as “q” as “c” as “c”, s’di asgjë!”
Kjo duhet të mbarojë, ashtu sikundër duhet të mbarojë edhe pjesa tjetër që është e kudondodhur. Njerëzit punojnë. Shqipëria nuk është me shumicë kriminelësh, as me shumicë hajdutësh. Shqipëria është me shumicë dërrmuese njerëzish që punojnë, që nuk i sheh njeri fare, se ku t’i shohësh? Në TV? Keni parë ndonjëherë në TV të thonë, “shikoni sa fermerë këtu eksportojnë”?
Keni parë ndonjëherë sa shumë eksportohet në Shqipëri? Asnjëherë. Cfarë është për fshatin, është kanali filan, në filan fshat, është në gjendje të keqe dhe del edhe ndonjë që bërtet, edhe, ky është fshati. Tani, këta njerëz që punojnë shohin ata që punojnë më pak dhe kanë shumë më tepër. As kjo nuk mund të ndodhë për një kohë të gjatë.
Shqipëria do duhet shumë shpejt t’iu thotë të gjithëve: “Tregoni xhepat!” Patjetër! Por ka një ndryshim shumë të madh midis aseteve kriminale, parasë kriminale dhe aseteve dhe parave të vëna me punë.
Në punë të zezë kanë punuar të gjithë shqiptarët kur shkuan në fillim në emigracion, se nuk i priti njeri me krahë hapur t’iu thonte “hajdeni në punë të bardhë!” Skllevër kanë qenë. Në punë të zezë kanë punuar. Produktet e asaj pune nuk janë kriminale. Prandaj ne do të lancojmë një amnisti të përgjithshme për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit me një afat të kufizuar që të gjitha paratë, të gjitha asetet t’i deklarojnë.
Paratë t’i fusin nëpër banka. Asetet t’i deklarojnë. Jo një, apo dy organizata, por bota mbarë të ngrihet të thotë “kjo nuk bëhet”, kjo do bëhet, sepse ne këtu jemi në radhë të parë për të punuar për ata që na kanë sjellë këtu dhe për fëmijet e tyre dhe emigrantët shqiptarë nuk mundet më të rrinë të mbajnë para nëpër banka andej me 1001 vështirësi, as nuk mundet më të torturohen të cojnë këtu 5 mijë euro se iu fillon pastrimi i parave, jo “ku i gjete”, jo “ku s’i gjete”, as nuk mund të tmerrohen për të blerë një shtëpi këtu se fillon historia “nga i more”, “nga s’i more”. Të gjithë ata që nuk i kanë paratë me drogë, nuk i kanë paratë me terrorizëm, nuk i kanë paratë me prostitucion, nuk i kanë paratë me të gjitha ato krime që parashikohen te ligji special, ose të gjithë ata që janë politikanë, gjykatës, prokurorë dhe subjekte të deklarimit të pasurive, këta do përjashtohen të gjithë. Nuk mund të amnistohet pasuria e tyre.
Këta do japin llogari, nga unë i pari, herët ose vonë, patjetër do japim llogari një më një, për cdo gjë që kemi, ku e kemi, si e kemi. Pastaj secili t’i dalë për zot. Aty s’ka më pastaj, socialist-demokrat, solidaritet. Aty ka vetëm, ose me punën, me ndershmërinë e me Shqipërinë, ose te vendi. Kurse të tjerët, në një afat kohor, duhet të kenë mundësinë t’i sjellin paratë të gjitha në Shqipëri, komplet, t’i investojnë këtu dhe t’i fusin këtu në bankë me një interes minimal, për të cilin ne do të tregojmë qartësisht se për çfarë do i përdorim dhe sigurisht do i cojmë për arsim, do i cojmë për shëndetësi, do i cojmë në shërbim të publikut. Besoj që kjo do të na japë mundëisnë që ta shtyjmë ekonominë edhe më shumë, por jo vetëm kjo, por edhe të tjerë elementë dhe të gjithë ta dinë që kur mbaron afati pastaj je ke OFL-ja. Pastaj nuk ka rëndësi, ke bërë, s’ke bërë krime.
Nëse nuk e shfrytëzon këtë kohë për tu formalizuar me një amnisti të përgjithshme dhe të plotë, amnisti fiskale, amnisti penale, amnisti të cdo gjëje që s’ka Zot që të të kthehet më ty mbrapa të të thotë, “shiko se ti ato paratë që i dhe atëherë ia ke dhënë rilindjes, por ne jemi besëlidhja”, – besëlidhja nuk bëhet fjalë, por ta zëmë, – nuk ka. Kjo nuk do ndodhë!
Por, ama, në momentin që kalon afati pastaj, kush i ka gjërat të padeklaruara, se do fusim edhe elementin tjetër, që, të gjitha pasuritë jashtë, si në cdo vend normal, do deklarohen këtu, i ke atje, ti mbash atje, por shteti shqiptar, e para, duhet t’i dijë, e dyta, me ligj dhe në Konventën Europiane ka të drejtën të të vijë të të ndjekë deri në fund të botës nëse ke një shtëpi, apo pasuri që nuk e ke deklaruar këtu” tha kryeministria.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.